E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ja si do t’i kthejmë nga Greqia paratë e fajdeve”

 

Fatos Mahmutaj

Ekstradimi i Lefter Cenaj, ish-bosit të piramidës “Cenaj”, që u kushtoi rreth 60 milionë USD xhepave të 26 mijë shqiptarëve para vitit 1996, ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e ish-piramidave. Eduard Halimi, ish-zëvendësministër i Drejtësisë, aktualisht kreu i Avokatisë së Shtetit, tregon përpjekjet që po bën institucioni i tij dhe shteti shqiptar për rikthimin parave të ish-skemave piramidale shqiptare, të cilat përfunduan në Greqi para dhe gjatë vitit 1997. Një pjesë e mirë e ish-krerëve të skemave piramidale transferuan shuma marramendëse parash jashtë vendit, kryesisht në Greqi. Sasi të mëdha të këtyre parave ndodhen të bllokuara në bankat greke, ndërsa Shqipëria po negocion kthimin e tyre me qëllim që ato t’i shpërndahen kreditorëve për të lehtësuar sadopak humbjen e tyre financiare. Në një intervistë për gazetën, Avokati i Shtetit tregoi negociatat dhe përpjekjet që po bëhen me palën greke për kthimin e parave të fajdeve në Shqipëri.  
Zoti Halimi, rreth një muaj më parë, ju drejtuat një delegacion shqiptar që shkoi në Greqi, ku patët takime me personalitete të drejtësisë së shtetit helen, ku pjesa më e rëndësishme e tyre ishte problemi i parave të “Piramidave”, dhe ekstradimi i Lefter Cenajt, a mund të na thoni sa është sasia e parave të piramidave shqiptare që është depozituar në bankat greke?
Problemi i piramidave shqiptare, është çështje e diskutueshme midis palëve. Në fakt, kemi një shifër, por nuk e bëjmë publike derisa ekspertët të ulen dhe të diskutojnë, pasi të jenë mbledhur të gjitha shumat e konfiskuara. Pas kësaj do të veprohet në bazë të konventës së vitit 2001.
Cila është strategjia që do ndiqet për t’i rikthyer këto para në Shqipëri?
Në konventë parashikohet se palët fillimisht do të fillojnë negociatat në rrugë diplomatike. Pastaj do të ngrihet grupi i ekspertëve nga të dyja palët dhe më pas, nëse dështon edhe kjo atëherë do të ketë një proces gjyqësor. Gjithsesi, them se nuk do jetë e nevojshme, pasi ne në fazën diplomatike të negociatave arritëm marrëveshje, xhentëlmenësh le ta quajmë, ku pala greke ra dakord që shumës që do nxjerrë grupi i ekspertëve t’i mbajnë një sasi të vogël, mendohet rreth 2-3% me të cilat do të shlyejnë shpenzimet që kanë bërë në këtë problem. Përsa i përket çështjes së Apostolis Vavilis, zyrtarët grekë më informuan se ai ndodhej nën akuzë për disa vepra penale, që kishte konsumuar në këtë shtet dhe nuk kishin pasur mundësinë për t’i kushtuar rëndësinë e duhur problemit të piramidave shqiptare.
Aktualisht nuk ka proces gjyqësor për kthimin nga Greqia të parave të fajdeve që kanë përfunduar atje?
Jo. Nuk ka proces gjyqësor. Takimet diplomatike, ishin të suksesshme dhe u vendos që të ngrihej grupi i punës i përbërë nga ekspertë të Ministrisë së Financave, të Ministrisë së Jashtme, të ambasadës sonë në Athinë, përfaqësues nga administratorët e fajdeve dhe Prokuroria e Përgjithshme. Me kryeprokuroren Ina Rama komunikova dhe më premtoi se, do të dërgonte në përbërje të grupit drejtorin e Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme. Grupi i ekspertëve nis punën në shtator në negociatat me palën greke. Natyrisht, institucioni lider është Ministria e Jashtme si dhe përfaqësia shqiptare në Athinë. 
Mund të parashikohet afati se kur përfundon procesi?
Grupi i ekspertëve fillon punë në shtator. Në këtë kohë do të llogariten të gjitha shumat shqiptare të transferuara në Greqi dhe vetëm pas kësaj mund të flitet për afate, i cili mund të jetë shumë afër.
Flitet për një shumë prej 200 milionë USD të firmave piramidale “Vefa” dhe “Cenaj” që kanë përfunduar në Greqi?
Jo, nuk mund të konfirmoj këtë shumë.
Dy ditë më parë, u ekstradua nga Greqi Lefter Cenaj, ç’mund të na thoni për këtë?
Kur isha në Greqi u interesova për faktin pse nuk po ekstradohej Cenaj. Aty më njoftuan se çështja e Cenaj ndodhej në Gjykatën e Lartë të këtij shteti, çështja ishte dërguar aty nga vetë Cenaj, ndërkohë më parë më thanë se ministri grek i Drejtësisë kishte vendosur pro ekstradimit. Siç duket Gjykata e Lartë greke vendosi për ekstradimin e tij.
Është e vërtetë se Cenaj ka kërkuar vetë ekstradimin nga Greqi për në Shqipëri ku pritet të lirohet nga qelia për shkak të amnistisë së janarit 2007?
Gjatë kohës që mbaja postin e zëvendësministrit të Drejtësisë Cenaj solli një kërkesë në ministri, ku kërkonte që dënimi grek për evazion fiskal dhe pastrim të produkteve kriminale të bashkohej me dënimin shqiptar me 10 vjet burg si kreu i ish-kompanisë huamarrëse “Cenaj”. Sipas tij, këto dënime të bashkoheshin në një dhe ai t’i vuante në Shqipëri. Ministria duke e quajtur të paligjshme një kërkesë të tillë e refuzoi. Ndërsa për faktin se ai ka kërkuar vetë që të ekstradohej, them që Cenaj ka kundërshtuar nëpër gjykata kërkesën e Prokurorisë greke për dërgimin e tij me pranga në Shqipëri.

Vavilis, hetohet për piramidat shqiptare
Apostolis Vavilis, njeriu enigmatik i zhdukjes së parave të piramidave shqiptare dhe transferimit të tyre në Greqi, duket se nuk ka nisur problemet me drejtësinë për këtë çështje. Pak kohë më parë ai përfundoi në Athinë një dënim, për disa vepra të kryera në vendin e tij, një pjesë së të cilit e vuajti me kusht për sjellje të mirë. Por siç duket, problemi i transferimit të parave të firmave piramidale shqiptare “Cenaj” dhe “Vefa” nuk i ka sjellë asnjë problem atij. Kjo për faktin se ai po përgjigjet për shkeljet e tjera ligjore, që ka kryer në Greqi para se të arratisej në Itali ku u kap një vit më parë. Më pas ai u ekstradua në Greqi, ku qëndroi pak muaj në burg për t’u liruar me kusht. Autoritetet helene të ligjit kanë premtuar se Vavilis do të përgjigjet edhe për çështjen e piramidave shqiptare, por aktualisht atij i duhet të japë llogari për të tjera akuza. f.m.

“Cenaj pranoi dosjen e Prokurorisë”

Ish-bosi i shoqërisë huamarrëse “Cenaj”, do të vuajë dënimin me dhjetë vite heqje lirie në një burg të sigurisë së lartë pas ekstradimit nga Greqia.

Trazhgim Sokolaj

Ditën e parë në Shqipëri Lefter Cenaj e ka kaluar në ambientet e paraburgimit. Një prokuror i sektorit të ekzekutimit të vendimeve penale, shkoi dje në qelinë e përkohshme të 61-vjeçarit dhe i komunikoi atij vendimin e dhënë nga gjykata shqiptare, në mungesë, për shpalljen fajtor dhe dënimin me dhjetë vite burgim. Ditën e sotme pritet që Drejtoria e Përgjithshme e burgjeve të caktojë institucionin, ku Lefter Cenaj do të vazhdojë vuajtjen e dënimit dhe më pas policia e burgjeve do të bëjë transferimin e tij nga Tirana për në qelinë, ku do të kalojë dhjetë vitet e izolimit, pasi është cilësuar fajtor për vjedhjen me anë të mashtrimit të 7.5 miliardë lekëve të reja ndaj më shumë se 25 mijë kreditorëve shqiptarë. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Adnor Shameti, avokati mbrojtës që përfaqësoi ish-bosin e skemës piramidale në gjyqin e zhvilluar në Tiranë, tha dje se klienti i tij kishte pranuar aktet e Prokurorisë në gjendjen që kanë qenë, por asnjëherë ai nuk kishte pranuar akuzën e ngritur ndaj tij.
Gjyqi në mungesë
“Lefter Cenaj ka pranuar aktet e Prokurorisë në gjendjen, që u sollën në gjykim për shkak se shqyrtimi gjyqësor në mungesë të tij ishte i pamundur, por ai nuk ka pranuar akuzën asnjëherë”, tha avokati Shameti, i cili ka mbrojtur ish-bosin e “Cenaj” në gjyqin që përfundoi në vitin 2000 në Tiranë, me dënimin e të akuzuarit me dhjetë vite burgim. Sipas avokatit, për shkak se klienti i tij kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, ai përfitoi uljen e 1/3 së dënimit, nga 15 në dhjetë vite burg. Që nga ajo kohë, kur gjyqi mori fund, avokati Shameti nuk ka pasur asnjë komunikim me klientin e tij. Megjithatë, mbrojtësi ligjor pohon se kishte pranuar dosjen e Prokurorisë në gjendjen që ka mbërritur në gjykatë, pasi kishte komunikuar me klientin e tij Lefter Cenaj, i cili ishte arratisur jashtë Shqipërisë. “Në fund të procesit, Lefter Cenaj ka kërkuar pafajësi”, ka sqaruar dje avokati Adnor Shameti, i cili tha se për qëndrimin që ka mbajtur në gjyqin që zhvillohej në mungesë të ish-bosit të “Cenaj”, kishte komunikuar disa herë me të gjatë kohës që ai ishte në arrati. Gazeta ka kontaktuar dje me disa zyrtarë të institucioneve të fushës lidhur me mundësinë e marrjes në pyetje të Lefter Cenajt, pas ekstradimit të tij nga Greqia për t’i kërkuar të dhëna, që mund të zbulojnë pasuri të ish-shoqërisë huamarrëse të drejtuar prej tij, çka mund të krijonte mundësi për kthimin e parave tek kreditorët. Burime nga Prokuroria thanë se organi i akuzës nuk mund të hetojë episode, për të cilat Lefter Cenaj është akuzuar më parë, ndërsa thanë se Grupi Mbikëqyrës nuk mund të bëjë padi në gjykatë, nëse nuk ka të dhëna konkrete për pronat e fshehura nga ish-bosi i kompanisë piramidale, që dëmtoi 25 mijë shqiptarë me procesin e huamarrjes nga populli. Sipas burimeve zyrtare, të gjitha pasuritë e zbuluara në emër të Lefter Cenajt dhe ish-shoqërisë huamarrëse të tij, janë të bllokuara prej vitesh dhe me disa prej tyre është kryer procesi ligjor i vlerësimit e më pas shitjes, me qëllim që me shumat e përfituara të kompensoheshin kreditorët, që humbën paratë në skemat piramidale shqiptare.      
               

Bosi i fajdeve kërkoi të ekstradohej në Tiranë pas arrestimit në Greqi

TIRANE - Lefter Cenaj ka kërkuar vetë të ekstradohej nga Greqia në drejtim të Shqipërisë me qëllim vuajtjen e dënimit të dhënë ndaj tij në mungesë. Tentativën e parë për t’i shpëtuar qelisë pa vuajtur të gjithë dënimin Cenaj e ka bërë dy vite më parë, kur kërkoi që dënimi grek për evazion fiskal dhe pastrim parash të bashkohej me atë me 10 vjet burg, që i kishte dhënë në mungesë drejtësia shqiptare për administrimin e piramidës “Cenaj & Co” dhe që u kushtoi xhepave të shqiptarëve plot 60 milionë USD. Por refuzimi i kësaj kërkese nga Ministria e Drejtësisë në Tiranë, bëri që ai të mbetej në qelitë greke, edhe pas përfundimit të dënimit që kishte marrë në atë shtet. Kështu, rreth një vit më partë ai e kishte përfunduar dënimin në Greqi dhe mbahej në qeli për llogari të autoriteteve shqiptare të drejtësisë, që kërkonin sjelljen e tij me pranga në Tiranë. Gjykatat greke që shqyrtuan kërkesën e Prokurorisë, e cila fillimisht u kundërshtua nga vetë Cenaj, vendosën ekstradimin e tij. Kështu, vendimi i fundit dhe që u bë i ekzekutueshëm për ekstradimin e tij ishte ai i Kolegjeve Penale të Gjykatës së Lartë Greke, që urdhëruan dërgimin e 61-vjeçarit Cenaj me pranga në Tiranë. Dy ditë më parë ai iu dorëzua në Rinas, Drejtorisë së Burgjeve për ta dërguar në qeli ku do vuajë dënimin. Aktualisht, Cenaj ndodhet në qelitë e pritjes në një nga burgjet e kryeqytetit, prej nga do të transferohet në një kamp, kohë gjatë së cilës do të paraqesë kërkesat e tij.                  fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›