E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes nga vapa 60-vjeçari, trupi pa jetë gjendet tek ish-Blloku

TIRANE - Një telefonatë në sallën operative lajmëroi dje policinë për vdekjen e një personi në mes të rrugës pranë Presidencës në Tiranë. 

Kalimtarë të rastit që kanë parë të vdekurin përtokë lajmëruan me telefon policinë për personin pa jetë. Viktima, rreth 60 vjeç, sipas burimeve ka mbetur i paidentifikuar nga policia, pasi nuk kishte asnjë dokument me vete. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme rreth orës 11:35, kur dëshmitarët kanë vënë re personin që kish rënë përtokë dhe nuk lëvizte. Disa persona, banorë të zonës, kanë parë se trupi i pajetë kishte ngrirë, edhe pse temperatura e ambientit në atë orë ishte rreth 35 gradë. Banorët kanë lajmëruar sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur një autopatrullë e Komisariatit nr.2 si dhe forca të tjera të policisë, që kanë nisur veprimet hetimore në vendin ku u gjet kufoma. Në vendin e ngjarjes kanë kryer këqyrjen e trupit të pajetë, duke arritur në përfundimin se ai duhej të ishte endacak. Pas kontrolleve të kryera nga efektivët e policisë të territorit, është vënë re se aty nuk kishte gjurmë gjaku apo sende të dyshimta që mund të bënin fjalë për vrasje. Po kështu edhe nga këqyrja e trupit të viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime fizike. Kjo ka bërë që policia të mendojë se vdekja ka qenë natyrale dhe nuk bëhej fjalë për ndonjë aksident apo vrasje. Pas kryerjes së këtyre veprimeve, trupi i të panjohurit është dërguar nga policia me një auto ambulancë në morgun e Tiranës, për të kryer veprimet e tjera identifikuese dhe për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Dyshimet e para të specialistëve të policisë kanë qenë se i moshuari endacak, mund të ketë vdekur për shkak të ndonjë sëmundjeje nga e cila vuante viktima. Temperaturat e larta dyshohet se kanë qenë një tjetër shkak që mund t'i ketë shkaktuar viktimës atakun kardiak që i ka marrë jetën. Trupi i personit të paidentifikuar është dërguar në morg, ku mjekët janë marrë gjatë ditës së djeshme me kryerjen e autopsisë. Gjatë gjithë ditës viktima ka qenë i paidentifikuar, pasi asnjë person apo i njohur i mundshëm nuk është paraqitur për t'u interesuar rreth tij.                                        d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›