E Diel, 1 Nëntor 2026

Çudia, banorët e një fshati në Fier: U ndeshëm me ufot

FIER - Banorët e fshatit Grykë në komunën Topojë të Fierit janë vënë në "gatishmëri" duke pritur të filmojnë me kamera apo aparate celulari ufot. 

Dy net më parë, disa banorë të këtij fshati janë ndeshur me fenomenin e çuditshëm, ku sipër kokave të tyre fluturonin disa objekte të veçanta. Menjëherë ata kanë dyshuar se bëhet fjalë për ufo. Janë 10 banorë, të cilët konfirmojnë një fakt të tillë. Njëri prej tyre madje ka arritur të filmojë me celular këtë skenë, por pamja është shumë e paqartë për shkak të ekranit të dobët dhe errësirës. "Ishin dy drita që lëviznin në mënyrë të çrregullt. Ato u afruan pothuajse 20 metra nga toka dhe lëviznin në mënyrë të çrregullt, ndërkohë që për një çast u larguan me shpejtësi shumë të madhe drejt qiellit", pohojnë banorët që kanë parë këtë skenë. Ata kanë mbetur të shtangur nga pamja që iu servir sa hap e mbyll sytë. Sipas tyre, objektet fluturuese krijuan një re të lehtë tymi, në formën e mjegullës. Ndërkohë, pas largimit u rishfaqën sërish. "Në ndryshim nga hera e parë, dy objektet fluturuese lëviznin në mënyrë të rregullt me njëri-tjetrin. Lëviznin aq shpejt sa herë formonin një katror, herës tjetër trekëndësh, gjithçka e formuar si me dorë", rrëfejnë më tej banorët e fshatit Grykë, të cilët u bënë dëshmitarë të këtyre objekteve për të cilat ata këmbëngulin se ishin ufo. Më pas, ata e përhapën në gjithë fshatin atë çfarë kishin parë. Të bërë kureshtarë pas përshkrimit, mjaft banorë, duke shpresuar se ufot do të rikthehen sërish, janë në gatishmëri, me celularë, kamera dhe aparate fotografike për të fiksuar sadopak momentet e mbërritjes së këtyre objekteve në tokë.                                         m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›