E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunimi, autorët shqiptarë e malazezë përkthim në gjuhët respektive

SHKODER - Autorët më të mirë shqiptarë dhe malazezë do të përkthehen në gjuhët respektive duke i dhënë kështu një dimension të ri marrëdhënieve mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, por në veçanti me Shkodrën. Ky është njëri nga qëllimet e një projekti të përbashkët shqiptaro-malazez, që sapo ka nisur dhe që financohet nga Bashkimi Europian. Me nisjen e këtij projekti universiteti "Luigj Gurakuqi" i Shkodrës kthehet në qendër të marrëdhënieve kulturore mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ky universitet dhe 'OJQ Prostory', Podgoricë organizuan konferencën e parë për shtyp paraditen e së enjtes, për të shënuar fillimin e projektit "Dva jezika jedna knjiga - Dy gjuhe një libër". Ky është projekti i parë ndërkombëtar në fushën e kulturës, i cili është zbatuar bashkërisht nga 'OJQ-të Prostory' nga Podgorica, Mali i Zi dhe Universiteti i Shkodrës. Sipas drejtores së Bibliotekës së Universitetit të Shkodrës, Alida Luka, ky projekt është financuar nga Bashkimi Evropian, Delegacioni i Komisionit Europian në Mal të Zi dhe Shqipëri nëpërmjet shqipërisë CBC - 2007-2013. Bashkëpunëtorët janë organizatat partnere: Qendra për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës së pakicave, Mali i Zi dhe qendrës së kulturës "Camaj Pipa", Albania. Bashkëpunimi ndërkufitar midis Shqipërisë - Mali i Zi, synon nxitjen e zhvillimit ekonomik në rajon, nëpërmjet programeve të mbështetjes për ruajtjen e turizmit dhe përmirësimin e mjedisit dhe rritjen e kohezionit social. Projekti "Dva jezika jedna knjiga - Dy gjuhë një libër", është mbështetur nga delegacioni i KE-së, nga ana e programit për përmirësimin e kohezionit social. "Ky projekt ka si qëllim paraqitjen dhe shkëmbimin e trashëgimisë letrare dhe të krijimtarisë bashkëkohore. Krijimin e një komunikimi mes dy kulturave në të dy gjuhët, shkëmbimin e shpejtë të informacionit dhe përkthimin letrar, për të nxitur gjendjen kulturore dhe socio-ekonomike në zonën kufitare", - pohon Luka. Sipas saj, janë parashikuar disa aktivitete si: Krijimi i Web portalit dygjuhëshe mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, shkëmbimi i informacionit në fushën e kulturës dhe të krijimtarisë, si dhe prezantimi i punës bashkëkohore letrare në mes këtyre shteteve. Ndërsa, znj. Varja Gjukiq, përfaqësuese e palës malazeze falenderoi në mënyrë të veçantë ambasadorin Shqiptar në Mal të Zi, Tonin Beci, i cili po e mbështet këtë projekt.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›