Bashkëpunimi franko - gjerman dhe dyshimet finlandeze
Do të jetë një darkë pune mes dy liderëve që së fundmi kanë gjetur disa pika të përbashkëta. Fillimi i bashkëpunimit mes tyre nuk ishte nga më të mirët. Ndërkaq presidenti socialist po ndeshet me kritikat e para të brendshme. Sidoqoftë ndërsa ka folur me gazetarët përbri tij ka patur edhe kancelaren gjermane. Natyrisht tema kryesore ka qenë Greqia. “Uroj që Greqia të qëndrojë në eurozonë. Ky është vullneti im, vullneti ynë dhe këtë e kemi thënë që në fillim të krizës” – ka deklaruar presidenti francez Hollande duke shtuar më tej se nga ana e saj Greqia duhet të kryejë natyrisht reformat e nevojshme. Edhe kancelarja ka vazhduar në të njëjtën linjë: “Do të inkurajojmë Greqinë që të vazhdojë me reformat e saj. Është e rëndësishme që të gjithë të respektojnë angazhimet e tyre” duke vazhduar se gjithsesi pret një raport nga Troika përpara vendimeve që do të merren mbi ndihmat për Greqinë. Natyrisht kanë folur edhe për bisedat e kryera mes tyre dhe presidenti francez Hollande ka rikujtuar takimin e 29 qershorit kur është vendosur mbi rritjen ekonomike, stabilitetin dhe vigjelencën bankare në Europë dhe sipas tij gjithçka që është diskutuar dhe vendosur duhet të zbatohet. Natyrisht dy liderët nuk kanë harruar edhe progresin që duhet të kryhet në sistemin bankar sidomos për një vend të Bashkimit Europian siç është Spanja. “Duhet të ecim përpara me të gjithë hapat e mundshëm për një vigjilencë bankare europiane të bankave bashkë me Bankën Qëndrore Europiane. Prej muajsh po flasim për Greqinë”. Por nuk është folur vetëm për vendin fqinj të Greqisë por edhe për bashkëpunimin mes Francës dhe Gjermanisë që do të rinivohet në fund të shtatorit me rastin e 50 –vjetorit të Traktaktit të bashkëpunimit mes dy vendeve. “Duam të vazhdojmë me këtë nismë me një frymë të re. Dy vendet tona duhet të vazhdojnë bashkë sepse janë përbri njëri –tjetrit. Ritheksoj këtu, miqësinë e madhe franko – gjermane dhe është në interesin e Europës që kjo miqësi të vazhdojë dhe të forcohet”. Një temë tjetër e rëndësishme ka qenë edhe ajo e Sirisë dhe e luftës civile që po zhvillohet në këtë vend. Dy liderët kërkojnë që të ushtrojnë presion në Këshillin e Sigurimit të OKB –së në mënyrë që të aprovohet një rezolutë mbi emergjencën humanitar në Siri. “Do të shikojmë sesi mund të avancojmë një rezolutë që të përqëndrohet sidomos në situatën humanitare” – ka deklaruar kancelarja Merkel ndërsa presidenti francez ka kujtuar se Franca do të marrë pjesë në një mbledhje të Këshillit të OKB mbi Sirinë në fund të muajit gusht. Duket se gjithçka po shkon mirë mes dy liderëve, kancelares Angela Merkel dhe presidentit francez Hollande. Ndërkaq përsëri nga një shtet si Finlanda vjen një denoncim i fundit për politikën europiane. Ministri finlandez për Çështjet Europiane, Aleksander Stubb ka deklaruar se po kërkohet ringritja e një tjetër “muri të Berlinit” i cili sipas tij do të ndante Veriun me Jugun e zonës euro. Ka qenë një intervistë dhënë prej tij për gazetën suedeze “Dagens Nyheter” ku Stubb ka deklaruar se “Europa ka qenë e ndarë për 50 vjet në Lindje dhe Perëndim dhe do të ishte e panevojshme të ndahej në Veri dhe Jug. Nuk duam një mur të ri të Berlinit”. Nga ana tjetër Stubb ka deklaruar se është i bindur që Greqia do të qëndrojë në orbitën e euros dhe se Finlanda do të jetë në gjendje të rimarrë huanë e dhënë Greqisë. “Greqia punon për një plan afatgjatë dhe shpresojmë se kërkon rimëkëmbjen e saj”. Deklaratat e tij vijnë tre ditë pasi drejtuesi i partisë të Finlandezëve të Vërtetë kërkonte të ndante zonën euro mëdysh.
...