SHBA: Serbisë do t’i duhet ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane

Ambasadorja amerikane, duke folur për bisedimet e ardhshme Prishtinë-Beograd, ka mbështetur përfshirjen e çështjes së veriut në këto bisedimet. Jakobson ka nënvizuar se zgjidhja duhet gjendur brenda pakos së Ahtisarit, e cila i garanton shumë të drejta serbëve
Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Jacobson është shprehur e inkurajuar nga fakti se edhe Kosova edhe Serbia kanë thënë që janë të gatshme që të angazhohen seriozisht në dialog. “Ky dialog, nëse në të hyhet me qëllime të mira, mund të sjellë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, gjë që është e rëndësishme për stabilitetin rajonal; është e rëndësishme për të forcuar përparimin që është arritur deri tash dhe është e rëndësishme për të vënë bazën e vazhdimit të zhvillimit ekonomik, si dhe për përpjekjet e të dy vendeve për të lëvizur në rrugën e tyre evropiane. Prandaj, po ashtu është e rëndësishme që të zbatohen marrëveshjet e arritura më herët”, ka thënë ajo për Televizionin Publik të Kosovës. Ambasadorja Jacobson ka folur edhe për veriun, të cilin e ka vizituar dje. “Mendoj se zgjidhja e vërtetë për veriun do të përfshijë edhe Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Ahtisaarit, i cili me të vërtetë garanton shumë të drejta për serbët në Kosovë, duke përfshirë edhe të drejtën për ulëse në Kuvend dhe të drejtën për edukim në gjuhën serbe me kurrikulë serbe; të drejtën për të marrë pjesë në përzgjedhjen e policisë dhe këto të drejta nuk janë vetëm në Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit, por edhe në ligjet kosovare. Pra, kjo është shumë e rëndësishme”, ka deklaruar ajo. Sipas saj, Serbisë do t’i duhet ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur që ka sovranitet mbi tërë territorin e saj. Ambasadorja amerikane ka folur edhe për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Sipas saj, përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë është e arritur e rëndësishme historike për Kosovën dhe Kosova duhet përgëzuar për të gjitha të arriturat e saj. “Prandaj, është diçka që duhet kremtuar, por po ashtu kjo është edhe shenjë e nivelit të ri të përgjegjësisë për Qeverinë e Kosovës, e cila do të duhet të vazhdojë të zhvillojë institucionet e saj për të ofruar një mjedis që garanton tolerancë dhe demokraci shumetnike për tërë popullin e saj”, ka theksuar ambasadorja Jacobson. Ambasadorja ka folur edhe për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, punën e EULEX-it dhe luftimin e korrupsionit.
Tendencë- Ka unitet për ndryshimet kushtetuese para 10 shtatorit/Spektri politik në Kosovë ka unitet të mjaftueshëm për miratimin e amendamenteve kushtetuese dhe ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar unitet të spektrit politik para fazës përmbyllëse të pavarësisë së mbikëqyrur. Ai ka kërkuar vendime të përbashkëta, sidomos në lidhje me miratimin e amendamenteve kushtetuese, të domosdoshme që më 10 shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën të vendosë mbylljen e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe transferimin e kompetencave tek autoritetet vendase. Megjithatë, edhe pas mbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare, institucionet e Kosovës pritet që të miratojnë edhe vazhdimin e misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit – EULEX. Kryeministri ka kërkuar edhe nga qeveria e tij që të bëhen përgatitjet për ditën e 10 shtatorit, ndërkaq ka thënë se pret që i gjithë spektri politik t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë.“Ne mund të kemi sukses të plotë, me filozofinë e unitetit politik dhe qytetar, për çka nuk dyshoj në skenën politike kosovare. Tani jemi në koordinim me spektrin politik, në mënyrë që ndryshimet kushtetuese të nevojshme për përmbylljen e mbikëqyrjes të pavarësisë, të kalojnë me dy të tretat në Kuvendin e Kosovës, në shtator të këtij viti”, ka theksuar kryeministri Thaçi. Përveç partive të koalicionit qeverisës, edhe dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë deklaruar se do t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese për fundin e mbikëqyrjes, ndërkaq pritet të shihet se çfarë pozicioni do të mbajë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka qenë që nga fillimi kundër vetë mbikëqyrjes dhe planit të Ahtisarit, si marrëveshje e autoriteteve kosovare me partnerët ndërkombëtarë për statusin e Kosovës. Thirrjet e kryeministrit Thaçi për unitet politik, janë vlerësuar si pjesë e demagogjisë politike nga ana e partisë më të madhe opozitare – LDK-së. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Ismet Beqiri, ka thënë se në opinion është krijuar pa nevojë një ngatërrim mes amendamenteve kushtetuese që kanë të bëjnë me përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe amendamenteve që kanë të bëjnë me ndryshimin e kompetencave për presidentin e Kosovës. Sipas Beqirit, LDK-ja mbështet përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe në këtë frymë edhe do të votojë në seancën e Kuvendit, ku kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve. “Amandamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, do t’i mbështesim, por këto nuk kanë lidhje me marrëveshjen dhe në këto amendamente bëjnë pjesë çështjet që ndërlidhen me presidenten. Ky është një proces i ndarë. Amandamentet kushtetuese nga marrëveshja e liderëve nuk do t’i përkrahim nëse marrëveshja nuk respektohet në tërësi”, ka thënë Beqiri. Vota e LDK-së për amendamentet kushtetuese për përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare, sipas Ismet Beqirit, nuk nënkupton edhe votën e saj për ndryshimet kushtetuese për kompetencat e presidentit dhe reformat zgjedhore, pasi që këto ndryshime kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes ndërmjet liderëve politikë, e cila do të mbetet objekt diskutimi edhe gjatë fillimit të fazës së pavarësisë së plotë.
Mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë, ishte pjesë e marrëveshjes ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtar (SHBA-së, vendeve të BE-së që e kanë njohur Kosovën dhe Turqisë), në mënyrë që komuniteti ndërkombëtar të mbikëqyrte nga afër përmes Zyrës Civile Ndërkombëtare zbatimin e marrëveshjes për statusin (Pakon e presidentit Ahtisari), sidomos në pikat që kanë të bëjnë me pakicat.