E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialogu me Serbinë s’duhet penguar nga xhiblat e partive në Kosovë

25-08-2012 / Nga Beqir Ajazi Kalorës i Urdhrit të Meritës i Rep

U bë ca kohë që një dukuri tejet negative dhe shumë e rrezikshme ka zënë e qet kokë ndër radhët e politikanëve të Kosovë, një pjesë e të cilëve ndaj ftesës së maxhorancës për unitet veprimi, kanë dhënë e hedhin vickla duke thënë jo kështu po ashtu, jo andej e këtej, pa kujtuar fare se Milosheviçin e kanë të gjithë në oborr e madje po u troket tek dera për t’ua bë avazin ashtu si e dinë vetë.
Kjo vjen nga fakti se Serbia, ndonëse është pak si e drobitur për çastin, aparatin e saj të përgjimit, të ngatërresave dhe hurit e të litarit ajo e ka akoma shumë e shumë të fortë me përvojë shumë të fortë e shekullore, madje dhe të ndihmuar pa kursim nga aparati i Arushës së Madhe që e ndihmon këlyshin e saj kryesor të jugut pa bërë kurrë llogari me të. Kështu që xhiblat e opozitës kosovare kanë si shkak edhe intrigat e këtyre shërbimeve inteligjente. Meqë tani për tani Serbia nuk është në gjendjen e dikurshme që t’i marrë vendimet pa spatën e dardharit, ndaj ajo përdor hilet dhe shpifjet si dhe mashtrimet atje ku mund t’i shkojnë. Sa shpejt e harruan opozitarët kosovarë hatanë që u ra në kokë në vitin 1913, kur perandoria osmane kishte humbur luftën dhe dëmet e luftës i paguan gjyshërit e tyre me gjakun e derdhur, kur i therte Serbia posi berre në altarin e ambicies së Serbisë së Madhe. Kaq shumë e popullarizuan serbët ëndrrën e tyre të Serbisë së Madhe saqë duke u ardhur tashmë turp nga kjo ambicie e kaluar kohe, ata qitën edhe parullën e Shqipërisë së Madhe. Kjo sajesë e serbëve nuk ka ekzistuar kurrë dhe kurrë ndër shqiptarë. Këta të fundit as e kanë njohur kurrë idenë e Shqipërisë së Madhe dhe as që ekziston kurrë në faqet e ndonjë gazete shqiptare të botuar qoftë brenda vendit e qoftë dhe ato që janë botuar në diasporën tonë.
Për fat të tyre, ata e kanë pasur në botë një “bacë” bujar atje në lindje, i cili nuk ka kursyer kurrë për ta as gjak e as ar, kurse kosovarët e shkretë s’e kanë pasur kurrë një bacë të tillë.
Opozita kosovare nuk duhet të harrojë kurrë se Serbia e sidomos shërbimet e saj sekrete e kanë gjetur herë pas here nga ndonjë “birbo” me gjak shqiptari apo që Shqipërisë ai i kishte lindur vetëm se në vathë që ajo ta ndrisi dhe pasi ta ketë bërë gati na e lëshove ose kosovarëve peshqesh nga xhehenemi, duke plotësuar me anët të tij të gjitha dëshirat e tyre grabitqare dhe mashtruese ndaj historisë.
Mirëpo opozita kosovare dhe disa buzëqumshta të saj, duke pandehur se çdo gjë që fluturon hahet, pandehin se po bëjnë politikë të madhe, kurse në të vërtetë qëndrimi i tyre nuk është politikë, politike e tyre është bashkimi rreth qeverisë, ashtu si në Rambuje, ku kosovarët duke u grumbulluar pas Ibrahimit të tyre e fituan davanë. Ky rast duhet t’i frymëzojë edhe sot opozitarët kosovarë për unitet veprimi. Kurse, kur të vijë koha që themelet e Kosovë të jenë konsoliduar mirë e bukur, atëhere le të rrokin secili huajt e halesë e të përlyejnë fytyrat me të sa herë të duan, po veçse jo tani.
Sa shpejt e harruan opozitarët kosovarë “anabazin biblik të masakrës së Tivarit”, kur Tito, duke pretenduar se po i çonte kosovarët që të kundronin bukuritë e mëmës Shqipëri, zgjodhi e mori 7000 prej tyre dhe i dërgoi në rrëzë të kalasë së Tivarit, ku i theri që të tërë, ndërsa “birboja Enver” këndonte me gishta në vesh himin e marksizëm-leninizmit.
Sa shpejt e harruan opozitarët e Kosovës mashtrimin e Konferencës së Bujanit, ku Fadil Hoxha shërbeu si qehaja i Titos dhe, duke u premtuar kosovarëve, baballarëve të tyre se pas luftës ata do të ishin të lirë të bashkoheshin me mëmën Shqipëri, apo dhe të qëndronin me Serbinë që, falë idesë shpëtimtare të komunizmit, i cili pretendonte se dhëmbëve u kishte vënë një “goje prej hekuri”, kurse thonjtë i kishin veshur me çorape leshi. Falë kësaj marrëveshjeje, kosovarët e mjerë, baballarët dhe gjyshërit e shkretë të opozitës së sotme u bënë mish për top për interesat e Serbisë së Madhe. Kështu që, kur erdhi çasti i mbajtjes së fjalës së Bujanit, ai u tregoi kosovarëve, baballarëve dhe gjyshërve të opozitës kosovare bërrylin dysh, duke djegë me hekur e me zjarr çdo kujtesë të marrëveshje së Bujanit.
Të gjitha këto që thamë duhet që opozita të mos i harrojë kurrë dhe të mos e lërë veten që të devijojë nga interesat madhore të Kosovës po të mblidhesh grusht rreth kryeministrit të vendit, i mirë apo edhe i keq pastë qëlluar ky. Këto janë punë që shihen e dëmtohen pasi të jenë konsoliduar mirë e bukur themelet e brishta të Kosovës.
Duke dëgjuar kësi xhiblesh, jo ti e jo unë, kosovari i thjeshtë nuk po i merr vesh fare punët. Harruan opozitarët e Kosovës se kanë luftuar së bashku për Kosovën në të njëjtin istikam. A nuk e kuptojnë vallë opozitarët e Kosovës se Serbia, ashtu hileqare dhe gjakatare, është prapseprapë një djalë i përkëdhelur i Europës që ia ka falur dhe ia fal asaj fajet, edhe pa i pas kërkuar kurrë ndjesë për gjenocidin që ka bërë kundër tyre në çdo moment dhe situatë.
Për të gjitha këto konsiderata, i ftoj djemtë e opozitës kosovare që ta bëjnë zemrën gur, që t’ia thyejnë këmbën shejtanit që u ka hyrë në zemër e të paraqiten toptan në bisedimet me Serbinë, duke mos harruar se ajo, nëse pranon të bisedojë me ta, këtë e bën nga halli i Amerikës. Duke u paraqitur si një trup i vetëm, ata të mos i bëjnë Serbisë asnjë lëshim po të ndjekin interesat kombëtare dhe të vënë në kusht që, pa u realizuar marrëveshjet e bëra më parë, seancën tjetër të mos e presin kot.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›