Bashkëpunimi me PDK-në rrezikon Kosovën

Ftesën e veprimtarit shqiptar, Adem Demaçit, që Vetëvendosje t’i bashkohet një koalicioni të përbashkët me PDK-në dhe AAK-në, zyrtarë të Vetëvendosjes nuk e shohin si zgjidhje për Kosovën.
Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë për Indeksonline se bashkëpunimi me këtë qeveri e rrezikon Kosovën.
“Bashkimi i AAK-së apo cilësdo forcë tjetër më këtë qeveri është bashkim dhe fuqizimi i mafias në Kosovë e cila aktualisht e ka kapur pushtetin dhe shtetin. Prandaj, jemi të bindur se çfarëdo bashkëpunimi më këtë qeveri dhe më këtë koncept politik vetëm sa e rrezikon Kosovën” ka thënë Molliqaj.
Molliqaj ka thënë se qeveria e Kosovës është e korruptuar dhe se Kosova sipas tij, ka nevojë për një Qeveri të pakorruptuar, të pashantazhushme dhe mbi të gjitha kombëtare.
“Kosova sot vuan nga një Qeveri e korruptuar dhe me plot skandale, me shumë veprime që nuk janë në interes të kombit shqiptar dhe mbi të gjitha një Qeveri e shantazhuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga Serbia për shkak të aferave të shumta që i ka kjo qeveri” ka thënë Molliqaj për Indeksonline.
Ai ka thënë se të gjithë intelektualet, veteranët dhe shoqëria në përgjithësi duhet të mobilizohet kundër kësaj qeverie dhe këtij koncepti politik.
E Adem Demaçi ka thënë se edhe Vetëvendosje duhet t’i bashkohet koalicionit me PDK-në dhe AAK-në.
"Unë i kisha propozuar edhe Lëvizjes Vetëvendosje të heqë dorë nga ekstremet e ta gjejë mënyrën e të bashkohet në këtë koalicion. Është interesi i kombit të jemi sa më të bashkuar dhe sa më të fortë" ka thënë Adem Demaçi./Indeksonline/