Bashkëpunimi për 2011-n, e majta me dilemat e vjetra
Afrimi në orbitën kohore të zgjedhjeve lokale e gjen opozitën shqiptare me një axhendë të ngjashme me atë të para një viti. Transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 dhe kërkesa për hetim parlamentar janë shndërruar në aksionin qendërzues të selisë rozë, që po tërheq në këtë betejë edhe aleatët e tjerë. Për këtë arsye, pretendimet e ngritura nga partitë e tjera që bashkëpunojnë me selinë rozë dhe hipotezat që janë ngritur në përgjithësi për këtë çështje kanë mbetur pa një përgjigje konkrete, e cila varet ndërkohë edhe nga ecuria e reformës zgjedhore. “është ende shumë herët. Ne do të presim se si do të procedohet me reformën zgjedhore dhe mandej do të shohim. E rëndësishme është që koalicioni të mbajë parasysh korrigjimin e gabimeve të së shkuarës. Nëse këto nuk eliminohen apo do të vijohet me të njëjtin qëndrim, atëherë edhe ne do të marrin vendimet tona për atë se çfarë do të bëjmë”, tha dje për gazetën “Shqip”, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo. Me një prononcim që paralajmëron se vendimmarrja e partive të vogla priret të jetë më autonome dhe më e pavarur se zgjedhjet e kaluara, aleati i PS-së ka bërë të qartë edhe faktin se koalicioni i majtë mund të pësojë rrjedhje nëse sjellja e PS-së nuk do të përfillë kërkesat e partnerëve. Kjo e fundit do të duhet të marrë një vendim politik për sa i përket subjektivizmit elektoral, pra nëse do të hyjë vetëm apo së bashku me aleatët e vet. “Vendime të kësaj rëndësie do të merren në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së”, tha me këtë rast deputeti socialist, Bashkim Fino. Ideja që me sa duket e bën të paqëndrueshëm koalicionin opozitar në përpunimin e një ideje unike është jo vetëm interesi i drejtpërdrejtë elektoral, por edhe llogaritë që ndiqen në këtë kuadër. Duke marrë të mirëqenë daljen definitive të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kundër opozitës, përllogaritja e vlerës së votave të aleatëve të vegjël thjeshtohet më shumë. Kjo ka një vlerë shtesë, sidomos kur vjen puna për të parashikuar votimin për organet ekzekutive të pushtetit vendor, apo krerët e bashkive dhe komunave. Rënia e qëndrueshme e partive të vogla në elektorat, e përjashton automatikisht vlerën e tyre në bashkitë e mëdha, ku bashkëpunimi pritet të adresohet te organet përfaqësues apo këshillat. Kjo kushtëzohet edhe me faktin se PS-ja aktualisht kontrollon shumicën absolute të bashkive të mëdha, fakt i cili minimalisht i bën drejtuesit e saj kandidatë potencialë për t’u rizgjedhur. Pretendimi i të vegjëlve do të duhet të zgjidhet në disa bashki të nivelit të dytë dhe komuna me rëndësi, për të cilat zyrtarisht selia rozë ende nuk ka përgjigje. Precedenti i vitit 2007, por edhe ajo çfarë ndodhi në vitin 2009, janë dy leksione që kanë rëndësi për përfaqësimin në këshilla të opozitës e për pasojë në marrjen e kontrollit të qarqeve. Roli i zgjerimit të përfaqësimit të koalicionit të majtë në pushtetin lokal ka rëndësi jo vetëm për rikonfirmimin e saj politik dhe të kreut të saj Edi Rama, por edhe pse krijon një bazë veprimi cilësisht të re për ballafaqimin në zgjedhjet e përgjithshme.
#