E Diel, 1 Nëntor 2026

Bredhje gjatë një fluturimi

...Mbështeta kokën në përkresën e kolltukut, mbylla sytë në një kotullim të lehtë nga zhuzhurima e pandërprerë e avionit. Ky ishte dhe s’ishte një kotullim, ishte një sipërhumbje e këndshme e shpirtit dhe e mendjes, një s’kolovitje në shilarësin e parafytyrimit, një sishtegtim i vetëtishëm në gjysmëhijen e zonës së ëndërrimit. Si në një kaleidoskop magjik namatisës më kalonin para syve të mendjes pamje nga më të ndryshmet: udhëtimi im për në Londër, i pari udhëtim me avion pas pesëdhjetë vjetësh. Pesëdhjetë vjet! Gjysmë shekulli 1941-1991! Një jetë. Një vijëz e vogël i ndan këto dy data, por kjo vijëz e vogël në një hartë me shkallë të madhe, do të paraqiste gjithë topografinë e ngjarjeve të zhvilluara në këtë hark kohe: Luogotenenca, lufta italo-greke, qeveritë kuislinge, Maliq Bushati, Mustafa Kruja, Eqerem Libohova, Regjenca, Pater Anton Harapi, Lef Nosi, Xhafer Deva, 4 Shkurti, Gomarët e Vezuvit (kështu i quante Mitrush Kuteli misat e Institutit Albanologjik të kohës paraardhësit e Akademisë së Shkencave të RPSSH dhe ata që nxirrnin “Revistën Letrare” në një kohë kur djem e vajza me yll në ballë i binin ballit), Gjyqi special në Teatrin Kosova fill pas çlirimit, krushqia me Jugosllavinë, prishja me Jugosllavinë, Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste Shqiptare, lidhja me Kinën, prishja me Kinën, libri i kuq, çu En Lai, Ho Shi Mini, kamione, aksione me kazma e lopata në sup dhe me këngë në gojë: “Bijtë e Stalinit jemi ne...”, aksione, fjalime, përurime, ndërtime hekurudhash, hidrocentralesh, uzinash, fabrika, tharje kënetash, stisje gënjeshtrash, selitje vreshtash, ngritje eshtrash, prishje kishash, xhamish, teqesh, kuvendesh, prerje mustaqesh, aksione, batalione hakmarrjesh, tunele, kërpudha, diversantë, brigandë, gjyqe, dënime, internime, burgime, mjerime, vajtime, ndërtime, shkatërrime, kanalizime, urime, përurime, krime, tufëzime, vajtime, udhëtime, mashtrime, zhgënjime, lufta e klasave, vija e masave, shitja e prasave, titistët, imperialistët, amerikanë, sovjetikë, revizionistët, titistët , fashistët, ballistët, zogistët, trockistët, ndërtime, rrënime, gërmime floriri, tërbime, fjalime, kongrese, PPSH, BRSH, BGSH, BPSH, zëri i popullit, zëri i rinisë, hosteni, pulastreni, kongrese, grushtakrese, delegacione, avionë me miq marksistë-leninistë, pritje, zbritje, ngritje, vërtitje, duartrokitje, dëshmorë, tradhtorë, ambasada, fasada, maskarada, serenada e Leninit, Stalinit dhe Ho Shi Minit, drejtues, dhunues, përçmues, sulmues, vjedhje, zgjidhje, mbledhje, përpjekje, heqje, vdekje, plasje, vrasje, rrasje në ambasada dhe prapë fasada e maskarada e mandata e disfata e ikje, fikje shtëpish, ndreqje xhamish, kishash e teqesh, lejim mustaqesh dhe peshqeshesh, ikje djelmoshash, kërkim lëmoshash, thundra e Italisë, shpëtim i rinisë, e më the të thashë, o fat i Shqipërisë! Pesëdhjetë vjet! Një jetë!...

Marrë me shkurtime nga eseja “Bredhje gjatë një fluturimi” i librit “Komedia e përjetshme”

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›