Bashkëraporterët e Komisionit të Monitorimit vizitojnë Shqipërinë
Bashkëraporterët për Shqipërinë të Komitetit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jaakko Laakso dhe David Wilshire do të zhvillojnë një mision fakt-mbledhës në vendin tonë në datat 3 deri 5 nëntor, për të vlerësuar respektimin e detyrimeve dhe angazhimeve të Shqipërisë në lidhje me Këshillin e Evropës. Kjo vizitë do të mundësojë finalizimin e raportit, i cili do të debatohet në seancën plenare të janarit të AKPE-së, 25-29 janar 2010. Për dy ditë me radhë janë parashikuar takime me Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Kryetaren e Kuvendit, ministrat e Punëve të Jashtme, të Brendshëm e Drejtësisë dhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Bashkëraporterët do të takohen gjithashtu me kryebashkiakët e disa prej qyteteve, përfshirë Tiranën dhe Shkodrën, dhe përfaqësues të minoritetit malazez. Së fundi, ata do të kenë diskutime me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, gjatë vizitës që do të zhvillojnë në një burg të vendit. Gjithashtu në këto ditë në Tiranë do të vijë edhe përfaqësuesi i kongresit të Këshillit të Evropës, Ian Micallef, president në detyrë i Kongresit të autoriteteve lokale dhe rajonale të Këshillit të Evropës. Ai do të vlerësojë situatën e demokracisë lokale dhe rajonale në vend.