E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini: Statusi i Shqipërisë në nëntor

 

Kërkesa e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat do të shqyrtohet në muajin nëntor. Këtë e bëri të ditur dje Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini, gjatë një interviste për “Top Channel”. Kreu i diplomacisë italiane theksoi se këtë mesazh ia ka përcjellë edhe Kryeministrit Berisha gjatë takimit të fundit në Bruksel. “Edhe Kryeministrit Berisha i konfirmova se po këmbëngulim që aplikimi i Shqipërisë të shqyrtohet sa më parë nga Komisioni Evropian. Besoj se në nëntor kërkesa do të shqyrtohet”, tha Fratini. Ndërsa komentoi kundërshtimin e Gjermanisë, Fratini tha se nuk është folur për vendim politik por për një çështje teknike sepse në parim nuk janë shfaqur kontradikta.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar Samitin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Partive Popullore Evropiane, për të takuar kancelaren gjermane Angela Merkel, lidhur me çështjen e aplikimit të Shqipërisë në BE. Pak ditë më parë, me kërkesë të Gjermanisë u shty diskutimi në Këshillin e Bashkimit Evropian kërkesa e Tiranës zyrtare. Sipas kreut të qeverisë “pasi e urova Kancelaren Merkel për fitoren e madhe dhe historike, për mbarë Evropën, në zgjedhjet e shtatorit, i bëra të ditur problemin se Shqipëria është në pritje të këtij momenti dhe se Presidenca suedeze pret që të ketë dritën jeshile nga qeveria gjermane, në mënyrë që të diskutojë në Këshill statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, pasi vendet e tjera nuk kanë ndonjë rezervë”. Nga ana e saj, Kancelarja gjermane theksoi se procedura parashikon konstituimin e parlamentit dhe komisioneve parlamentare, teksa i premtoi Kryeministrit se çështja do të zgjidhet brenda një kohe të shkurtër. “Kancelarja Merkel më informoi se dje (të mërkurën) ishte mbledhur Parlamenti dhe në ditët apo javët në vazhdim do të vazhdojë konstituimi. Ajo më siguroi se do të bëjnë çdo gjë për t’a realizuar këtë në kohën më të shkurtët të mundshme. Këto ishin fjalët me të cilat unë u ndava me Kancelaren e Gjermanisë znj. Angela Merkel, për të cilat duhet ta falënderoj me shumë mirënjohje”, u shpreh më tej Kryeministri. Duke komentuar bojkotin e opozitës, Kryeministri tha se ndonëse ai vjen në një moment të papërshtatshëm, nuk mund të bllokojë proceset integruese të vendit, për shkak se ky qëndrim nuk është i argumentuar ligjërisht. I pyetur mbi procesin e liberalizimit të vizave, kreu i maxhorancës tha se “vizat janë në një proces ecurie normale. Premtimi imi është për liberalizimin e tyre në vitin e parë të këtij mandati dhe ne po plotësojmë kërkesat. Unë nuk shoh asnjë lloj problemi, përveç faktit që ne duhet të plotësojmë me seriozitetin më të madh çdo kërkesë që shtrohen nga udhërrëfyesi për heqjen e vizave”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›