E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëraportuesit e KiE takojnë kreun e opozitës

Situata politike, protestat, bojkoti, si dhe cenimi i autonomisë vendore ishin thelbi i bisedës së kryetarit të PS-së, Edi Rama, me raportuesit e KiE. Pas takimit me krerët e shtetit, raportuesit vendosën të dëgjonin edhe mendimin e opozitës para se të nisnin hartimin e raportit mbi vizitën e tyre në Shqipëri. Deputeti socialist, Ditmir Bushati, konfirmoi pas takimit se raportuesit e Këshillit të Europës kanë konfirmuar se njoftimet për shtyp të Kuvendit dhe të Këshillit të Ministrave lidhur me kutitë e votimit janë të pavërteta.

"Ne patëm mundësinë të shkëmbenim pikëpamjet dhe informacionin rreth situatës politike në Shqipëri me raportuesit e Këshillit të Europës. Gjatë këtij takimi ata u informuan në detaje mbi qëndrimin e opozitës ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend", tha Bushati. Me shumë kënaqësi, sqaroi deputeti socialist, na konfirmuan që të gjitha njoftimet që janë bërë nga zyra e shtypit e Kryeministrit dhe e Kuvendit, sikur gjoja ata kanë deklaruar për qëndrimin e tyre ndaj opozitës shqiptare, janë fakte absolutisht të pavërteta. "Qëndrimi i tyre do të bëhet publik në raportin që ata do të publikojnë për Shqipërinë, të cilin ne e mirëkuptojmë se do të jetë një raport konkret dhe do t‘i shërbejë demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit", tha Bushati. Ai vuri në dukje se në qendër të takimit me raportuesit e KiE ishin çështjet politike, si zgjedhjet e 28 qershorit, liria e medias dhe konfliktet e fundit që ka shkaktuar ekzekutivi me pushtetin vendor dhe me gjyqësorin në Shqipëri. Raportuesit e të dërguarit të Këshillit të Europës, Jako Lakson dhe David Wilshire, kishin planifikuar një takim me kreun socialist, Edi Rama, pak ditë më parë, por axhenda e takimeve jashtë shtetit e kryetarit Rama bëri që takimi të zhvillohej vetëm dje.

Më parë, dy raportuesit kanë zhvilluar takime me Kryeministrin Sali Berisha, Presidentin Bamir Topi, ministrin e Jashtëm Ilir Meta etj. Në takimin me Berishën, dy raportuesit morën garancinë e Kryeministrit për vendosmërinë e qeverisë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Në takim u diskutua për situatën paszgjedhore në vend. Kryeministri Berisha u bëri me dije raportuesve të Këshillit të Europës se zgjedhjet parlamentare ishin zgjedhjet më të mira të zhvilluara në Shqipëri, gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, me infrastrukturën më moderne të teknologjisë së lartë të informacionit, me kuadrin ligjor tërësisht të ri, të hartuar dhe miratuar me konsensus të gjerë mes mazhorancës dhe opozitës.

Pikërisht në këtë njoftim për mediat thuhej se dy raportuesit janë shprehur se vendimet e gjykatave nuk mund të ndryshohen nga politika. "Për sa u përket kërkesave të opozitës në vend për rinumërim, në asnjë rast politika nuk mund të ndërhyjë për të ndryshuar vendimet e gjykatave", citoi Kryeministria se janë shprehur dy raportuesit. Ndërsa në takimin me kreun e shtetit, Bamir Topi, u fol për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›