E Shtunë, 31 Tetor 2026

E VëRTETA Që NA MUNGON - MBAJENI Në DORë LIRINë TUAJ! -

Një gjë është krejt e sigurt: pas asaj që ndodhi midis një prej njerëzve më të pasur të vendit dhe gazetarit M. Baze, Shqipëria do të humbasë për një vit e më shumë 20-30 vende në renditjen e përgjithshme të shteteve për sa i përket lirisë së shtypit. Rasti "Mero Baze" do të jetë një refren i pashmangshëm në konferenca ndërkombëtare kushtuar lirisë së shtypit, një ilustrim i preferuar i oratorëve të gjithfarshëm për ligjëratat e tyre. Do të duhet shumë mund e kohë që ky rast të dalë prej relacioneve të raportuesve europianë e ndërkombëtarë. Shqipëria, vendi që një dekadë më parë pati hartuar ligjin më të shkurtër në botë për shtypin, me një nen të vetëm, "shtypi është i lirë", si në shumë raste të tjera, e shpërfaqi gjendjen e lirisë së të menduarit dhe të të dëgjuarit në formën më skandaloze dhe njëherësh më anekdotike. Një bos i ri, i ndihmuar prej truprojave, zhdëp në një mjedis publik në dru një gazetar, botues dhe pronar si ai. Nuk do të mjaftonte, natyrisht, një cikël emisionesh alla Celentano, "Rock-politic", për të ndryshuar atë që tashmë u prish për sot e mot. Dhe nëse dhunën e provoi fizikisht një prej përfaqësuesve të shtypit, komprometimin afatgjatë të emrit të shtypit shqiptar do ta vuajë emri i Shqipërisë.

Kjo është ajo që dihet e nuk dyshohet aspak. Se çfarë është për t‘u dyshuar e për të vrarë mendjen, u pa në një formë të dëshpëruar nga mënyra se si vetë gazetarët e diskutuan këtë çështje para kamerave dhe mikrofonave të njëri-tjetrit. "Words, words, words; nothing just words" thotë Hamleti në tragjedinë e Shekspirit. Llafe, imzot, llafe! Dhe asgjë tjetër.

Kjo ka qenë një histori pa heronj.

Dy dekada pas përmbysjes së sistemit politik dhe vënies së të drejtave të qytetarëve në themelin e jetës së shoqërisë, edhe kur ndodh një ngjarje që skandalizon rajonin e kontinentin, s‘ka asgjë për t‘u marrë seriozisht. Vetë shtypi është kthyer në një shaka të madhe, në një grotesk të papërshkruar. Kjo nuk ka ndodhur në një ditë. Kjo ndodhi pak nga pak e ditë për ditë, qysh se gazetarët më të zellshëm të shtypit bolshevik u bënë befas themelues dhe editorë të shtypit kundërshtar dhe gazetaria e "epokës së re" doli prej zejes së gazetarisë komuniste. Ishte krejt e natyrshme të ndodhte kjo, përderisa brenda një dite edhe disa tribuna politike të Partisë Komuniste në nivel lokal befasisht u zgjuan "të pavarura" dhe të tilla i shiten lexuesit edhe sot. Liria e shtypit filloi, por besimi te shtypi u trondit. Nëse të përditshmeve më të mëdha të vendit do t‘u propozohej ta shihnin veten në pasqyrën e fillimeve dhe të rritjes, shumëve prej tyre do t‘u vinte zor. Asgjë të lavdishme nuk ka në historinë e re të shtypit shqiptar të këtyre dy dekadave. Në fillimet e shoqërisë së hapur u dënuan dy kolegë për nxjerrje sekreti, sepse kishin shkruar për një lëvizje tankesh nga jugu drejt veriut të Shqipërisë dhe pjesa tjetër e shtypit, ajo pjesa e lirë, që nuk gjendej në qeli, kishte frikë të botonte dhe rezolutat e institucioneve europiane. Në shtator të vitit 1998, një grupi kolegësh të tjerë iu vunë grykat e armëve në tëmtha dhe pjesa tjetër heshti e trembur. Gazetat dhe ekranet u kthyen në karakollë të luftës kundër njëri-tjetrit. Dhe kjo luftë ndau dhe lexuesit në dy kampe armiqësore.

Por nuk është vetëm kjo arsyeja pse gjithë historia e ditëve të fundme, e thënë shkurt me sintagmën "rasti Baze", edhe pse traumatike, nuk shkaktoi dhe nuk pritej të shkaktonte ndonjë tronditje në jetën qytetare. Historia e shtypit të lirë nisi si histori e gënjeshtrës spektakolare. Njëzet vjet pas sanksionimit të lirisë së shtypit, askush nuk e ka provuar dhe as kundërprovuar nëse Mali me Gropa është vërtet i mbushur me kufoma apo jo. Kjo histori, historia e gënjeshtrave të stërmëdha, që kurrë nuk u vërtetuan, e la shtypin pa mbështetjen e qytetarëve, sepse vetë gazetarët u bënë fortafolës e zëdhënës të mashtrimit.

"Pushteti i katërt", pushteti më i pakomprometueshëm, për shkak se nuk pret që të mbushen katër vjet e të ndërrohen pushtetet e tjerë; pushteti i shtypit të lirë, me lirinë e vet të rrejshme, ka ardhur duke u shuar si një qiri në mes të korrenteve. Shtojca të politikave partiake një pjesë; shtojca të bizneseve e grup-bizneseve një pjesë tjetër, të përditshmet e shtypura dhe politikat editoriale në përgjithësi manifestuan e manifestojnë një lakueshmëri të papërfytyrueshme, komprometuese më shumë se veprimet përfituese të qeverisësve. Mbi të gjitha, shtypi humbi aleatin e vet të natyrshëm: qytetarin. E humbi duke e mashtruar dhe duke mos i shkuar kurrë deri në fund një historie, e humbi duke e përdorur veten si armë kundër tjetrit, e humbi duke flakur tej të gjithë skrupujt e domosdoshëm për ta bërë shtypin vërtet të lirë. Gjithë kjo situatë, ndërsa dekurajon protestën qytetare dhe demotivon solidaritetin midis kolegëve, në të njëjtën kohë inkurajon e trimëron dorën e ngritur ndaj gazetarëve dhe dhunën ndaj tyre. Por deri te skandali i fundmë gjendjen e pruri shtypi vetë. Pikërisht kjo është ajo pjesë e së vërtetës që nuk thuhet. E ç‘rëndësi ka nëse njëri apo tjetri mori a s‘mori pjesë personalisht në një protestë në përkrahje të kolegut të lënduar. E kujt i duhet diskutimi akademik se a ka liri shtypi në Shqipëri dhe të çfarë shkalle e ka. E kujt i vlejnë deklaratat politike në mbrojtje të personalitetit të gazetarit dhe të lirisë së shtypit. Natyrisht, askujt, nëse vetë njerëzit e "pushtetit të katërt" nuk i bëjnë seriozisht pyetjen vetes: Si mbërritëm deri këtu, pse as kolegët nuk janë të gatshëm për të rrezikuar, pse gjysma jonë e përligj në heshtje atë që ndodhi përkundër gjysmës tjetër që përpiqet të alarmojë gjithë kontinentin?

Publiku shqiptar e përjetoi ngjarjen që lidhet me "rastin Baze" me një indiferencë krejt të pritshme, madje me një farë çudie pse shtypi grek, italian, francez e britanik po bën kaq zhurmë. Thelbi i gjithë kësaj indiference është se në këtë ndodhi gazetarët u shfaqën më së shumti në rolin e viktimës. Dhe për dukurinë e viktimës shpesh keqardhja shprehet edhe me heshtje, pa veprim qytetar, pa solidaritet e protestë. Mirëpo duhet kuptuar se kur një prej pushteteve të një vendi, nëse seriozisht shtypi është dhe vlerësohet si pushtet i katërt, mbërrin në pikën që të shihet me keqardhje, me mëshirë, fuqia e tij ka mbaruar. Kjo është ajo "kambana e alarmit" që duhet të bjerë. Kjo histori pa heronj, kjo histori me viktima, që e ndan fajin në mes dhe dekurajon anësinë e natyrshme ndaj lirisë së shtypit, shpreh mjerimin ku vetë shtypi ka mbërritur. Betimet për lirinë e shtypit, kur qëndrimet e tij janë gjithë e më të kushtëzuara prej arsyesh politike, ekonomike, ideologjike e madje edhe fetare, janë farsa e fundme që duhet të dëgjojnë shqiptarët, të cilët, të lodhur prej njëmijë e një telashesh të përditshme, prej jetës së vështirësuar dhe mashtrimeve kolosale, kanë të drejtë, në fund të fundit, t‘u thonë njerëzve të shtypit e të mediave: "Nëse e doni aq shumë, mbajeni në dorë atë lirinë tuaj. E kujt i vlen nëse as për të mbrojtur veten nuk jeni, ç‘mund të pres unë këtu poshtë si mbështetje dhe besim nga ti, kur një pikëpyetje e madhe tashmë, ka zënë vend dhe zor të shkulet kollaj - more vërtet, kush ka të drejtë?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›