E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Vendorët e PS-së t‘i drejtohen Kushtetueses

Vendorët socialistë mund t‘i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Ky është sugjerimi i deputetit demokrat, Aldo Bumçi, pas deklaratës së deputetit të opozitës, Eduart Shalsi, se qeveria po shkel autonominë vendore. Në një prononcim për gazetën "Shqip", Bumçi vlerësoi se deklaratat për një pezullim të mundshëm të shërbimeve nga ana e njësive vendore që drejtohen nga të majtët janë retorikë boshe, ndërsa përmendi se vizita e Presidentit të autoriteteve lokale dhe rajonalë të Këshillit të Europës në Shqipëri disa ditë më parë konstatoi progres në lidhje me decentralizimin e pushtetit vendor. "Unë nuk e kam ndjekur deklaratën, por mendoj se kjo është një retorikë boshe. Para pak ditësh ishte në Tiranë kreu i kongresit të autonomisë vendore, i cili takoi krerët e qeverisë dhe shtetit. Ai konstatoi progres sa i takon autonomisë vendore dhe ecurisë së procesit të decentralizimit në vend. Rrjedhimisht, kjo ishte përgjigjja më e mirë për ata që pretendojnë për shkelje të autonomisë vendore", tha deputeti i Partisë Demokratike. Nisur nga kjo, ai sugjeroi ndjekjen e rrugëve ligjore si formë reagimi për vendorët socialistë. "Ekzistojnë të gjitha rrugët ligjore për të reaguar ndaj një pretendimi për cenim të autonomisë. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese shumë mirë mund të thotë nëse një pretendim për shkelje autonomie është i qenësishëm apo jo", tha ai. Dy ditë më parë, deputeti i PS-së, Eduart Shalsi, në një reagim për gazetën "Shqip" konfirmoi se do të vijojnë rrugët e reagimit në lidhje me autonominë vendore dhe tentativave të qeverisë shqiptare për të prekur këtë autonomi. Veç të tjerash, Shalsi tha se nëse Berisha nuk tërhiqet, atëherë paralajmërojmë pezullimin e shërbimeve të bashkive për një kohë të shkurtër. Në rast të kundërt do radikalizohet edhe më tej forma e reagimit. Njëkohësisht, Shalsi hodhi akuza në adresë të qeverisë edhe për detyrimet e qeverisë shqiptare për sa i përket demokracisë së pushtetit vendor. Sipas tij, rekomandimet e KiE nuk kanë marrë ende përgjigje edhe pse duhej të kishte kthyer përgjigje që në dhjetor të 2008.

A.Thomollari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›