E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembje në tunelin e Thirrës. Zyrtarët: Çdo gjë normale

Punëtorë të kompanisë "Bechtel-Enka" njoftuan dje joformalisht gazetarët se në tunelin e Thirrës në aksin rrugor Rrëshen-Kalimash ka pasur shembje masive në një gjatësi prej 80 metrash, gjë që ka ndërprerë energjinë elektrike në tunel dhe e ka bllokuar atë tërësisht, por zyrtarët e Drejtorisë së Rrugëve thonë se ka pasur rënie gurësh, gjë shumë e zakonshme gjatë ndërtimit të një tuneli.

"Sipas dëshmitarëve të ndodhur aty në momentin e shembjes, fillimisht është ndjerë një tronditje e ngjashme me një tërmet disa ballësh. Korrespondenti bën të ditur se në momentin e shembjes në tunel punohej, por fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar", raportoi një televizion.

"Nuk ka vend për dramatizim. Janë fenomene të njohura të shkëputjes pjesore të masivit shkëmbor, të ndodhura edhe më herët", tha zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Rrugëve, Ylli Gjoni, i cili e mbikëqyr projektin për llogari të qeverisë. Zyrtarët bënë të ditur se rënia e dherave ka ndodhur në tunelin jugor dhe jo në atë verior. Shpjegimi se cili nga tunelet ka pasur rënie gurësh, kryhet për shkak se tuneli verior u hap në mënyrë të pjesshme për qarkullimin e makinave dhe kompania sipërmarrëse e qeveria janë përballur shpesh me akuza për hapjen e tunelit në mungesë të kushteve të sigurisë. Megjithatë, asnjë aksident nuk ka ndodhur.

Në lidhje me shembjen e tunelit, dje foli edhe kreu i opozitës, Edi Rama. Gjatë një mitingu të zhvilluar në Elbasan, Rama tha se qe informuar nga media për shembjen e tunelit të Thirrës dhe se sipas tij, shkaku i të gjitha problemeve me këtë rrugë lidhej me abuzimet e qeverisë së sotme.

Tuneli me gjatësi 5.5 kilometra dhe me dy tuba gjendet në lartësinë rreth 900 metra mbi nivelin e detit dhe në qendër të tij gjendet rreth 800 metra nën mal. Tuneli verior u hap për qarkullim më 25 qershor të këtij viti, ndonëse një segment prej disa qindra metrash nuk qe betonuar ende. Tuneli u mbyll më 11 tetor, pa afat për të vazhduar punimet. Zyrtarët nuk japin një datë se kur mund të rihapet tuneli për qarkullim, por sipas faqes zyrtare në internet të kompanisë "Enka", punimet në këtë vepër do të vijojnë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Pjesa tjetër e segmentit Rrëshen-Kalimash, e cila ka kushtuar deri tani rreth 600-1 miliardë euro (asnjë zyrtar nuk thotë një shifër më të saktë), ka përfunduar së ndërtuari dhe mund të përdoret nga banorët e zonës së Mirditës.

Gj. Erebara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›