Gentian Muça, surpriza anti-Estoni
Pasi ka lënë eliminatoret e pasuksesshme për Botërorin 2010, Shqipëria hyn në atmosferën e ndeshjes miqësore me Estoninë, e cila do të zhvillohet në Talin më 14 nëntor. Hapi i parë i kësaj prag-sfide është hedhur dje nga trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, i cili ka publikuar një listë zyrtare me 18 lojtarët e përzgjedhur për të shtunën e ardhshme. Duket se tashmë tekniku kroat i kuqezinjve ka nisur "katharsisin" e premtuar brenda Kombëtares në prag të eliminatoreve të Euro 2012. Shikohen mungesat e disa emrave të njohur. Por kësaj liste nuk i mungon edhe një surprizë: ai është Gentian Muça, i cili është grumbulluar për herë të parë në përfaqësuese. Ashtu si thuajse gjatë gjithë edicionit eliminator, edhe këtë herë Kombëtares do t‘i mungojnë portieri kryesor i saj, Arjan Beqaj, i cili vazhdon të vuajë sërish një tjetër dëmtim dhe është në fazën e rikuperimit. Rolin e portierit të parë tashmë e ka marrë i riu Ujkani, që luan me Novarën në Lega Pro italiane. Në krah të tij do të jetë edhe Isli Hidi i Krivbasit. Edhe pse e pa u provuar zyrtarisht, duket se një ndër viktimat e para të "spastrimit" të premtuar të Kuzhesë është mbrojtësi Elvin Beqiri, i cili nuk po kalon një moment të mirë në kampionat me Vllazninë dhe në ndeshjet e fundit me Kombëtaren nuk e ka bindur trajnerin. Mosgrumbullimi i tij ndaj Estonisë, duket si një sinjal "largimi" nga përfaqësuesja. Jashtë është lënë edhe i dëmtuari Haxhi, i cili u ftua në skuadër vetëm për ndeshjen ndaj Suedisë. Në mbrojtje Kuzhe ka thirrur, Dallkun, Lilën, Currin, Veliun. Për ndeshjen ndaj Estonisë, kroati do të duhet të zgjedhë mes shumë alternativash për mesfushën, që është edhe reparti më i populluar. Veç Skelës, Likës, Canës, Agollit, Sefës, Vilës, Duros, Hykës e Bakajt, në këtë repart vjen edhe surpriza Gentian Muça i Dinamos. Kuzhe e ka vëzhguar ndaj Teutës, Laçit, Flamurtarit dhe ndaj Tiranës dhe ka vendosur t‘i japë një mundësi në përfaqësuese në miqësoren e 14 nëntorit. Paraqitjet e tij e kanë bindur teknikun. Mesfushori shikohet si një prej të rinjve më të mirë të momentit në kampionatin shqiptar. Edhe pse nuk është aktivizuar shumë, në ato pak minuta në fushë me skuadrën e Dinamos, ai ka treguar se zotëron cilësi të mira. Mesfushori shkatërrues vjen nga ekipet zinxhir të Tiranës dhe në sezonin e fundit është dhënë në formë huazimi te Dinamo. Ndërkohë që në mesfushë bie në sy edhe mungesa e Ervin Bulkut, i cili, sipas burimeve jozyrtare, rezulton i dëmtuar. Prej pak ditësh i ardhur nga Ukraina, së bashku me Hidin dhe Agollin, ai po stërvitet me ekipin e Tiranë, ku dje ka kryer vetëm vrapime përreth fushës. Por është dukur shumë i nervozuar, ndoshta nga fakti që Kuzhe nuk e ka grumbulluar. Trajneri ka thirrur vetëm dy sulmues, Salihin dhe Kapllani, ndërkohë që përveç Bogdanit, një tjetër mungesë e këtij reparti do të jetë Besart Berisha, i cili nuk po mundet ta bindë kroatin edhe për shkak të aktivizimit të tij të paktët te Arminia. Edhe këtë herë vihet re se lista e Kuzhesë dominohet nga futbollistët shqiptarë që luajnë në kampionatet e huaja, por mes tyre janë ndërthurur edhe 5 emra nga kampionati shqiptar i futbollit.