E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëshorti thikë ish-gruas, ishin ndarë për xhelozia



Kishin një javë që ishin ndarë për motive xhelozie, por duket se bashkëshortit, inati nuk i kishte kaluar derisa ndërmori aktin e goditjes me thikë të gruas së tij. Sipas të dhënave policore, ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin e Pogradecit, ku 36-vjeçari Artur Piperi, i dënuar më parë për veprën penale të “vjedhjes”, qëlloi disa herë me thikë në trup bashkëshorten e tij. E dëmtuara për të marrë mjekime më të specializuara, pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, u transportua për në Spitalin Ushtarak. U kryen veprimet procedurale për veprën penale të “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”.

Kukës

Kontrabanda e gjësë së gjallë, sekuestrohen 5 automjete

Të paktën 5 automjete që dyshohet se transportonin viça kontrabandë nga Kosova në Shqipëri u sekuestruan mbrëmë nga policia e Kukësit. Burime të policisë lokale thanë se automjetet u ndaluan në afërsi të urës së madhe në Kukës, që të çon drejt Tiranës. Ata ishin ngarkuar me 50 viça gjithsej, 35 prej të cilëve kishin numrin e matrikullimit (të regjistrimit), ndërsa për 16 të tjerë ky numër mungonte, ç’ka ngjalli dyshimin të futjes së tyre kontrabandë, nga Kosova në Shqipëri. Sipas burimeve drejtuesit e 5 automjeteve paraprakisht do të ndiqen në gjendje të lirë.

Shkodër

Zjarr në kodrat e Rrencës, në rrezik fabrika e gazit

Paraditen e djeshme ka rënë një zjarr në kodrat e fshatit Rrencë, pesë kilometra larg qytetit të Shkodrës, shumë pranë një fabrike të gazit që ndodhet në këtë fshat. Ndërhyrja në kohë e mjeteve të zjarrfikësve, të mbështetur edhe nga policia pyjore dhe komuniteti i zonës, kanë bërë të mundur izolimin e vatrës së zjarrit duke shmangur përhapjen e tij në drejtim të fabrikës së gazit. Shuarja e flakëve të zjarrit nga ana e zjarrfikësve nuk ka qenë e lehtë për shkak të terrenit të thyer kodrinor. Ekspertët e policisë po hetojnë në vendngjarje për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.

Itali

Shqiptari theri dy të rinj, arrestohet

Arrestohet në Firence nga karabinierët italianë i riu shqiptar, Fatjon Dine pasi ai dyshohet si autori i plagosjes me thikë të dy 18-vjeçarëve. Mbrëmjen e dy ditëve më parë, për motive të dobëta, në një zënke mes të rinjsh në qytezën e Borgo San Lorenco të Firences shqiptari, Dine ka goditur disa herë me thikë dy 18-vjeçarët, njëri nga të cilët ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Firences. Kombësia e dy të rinjve të plagosur nuk bëhet e ditur nga autoritetet italiane. Fatjon Dine rezulton me precedentë penalë, pasi ai më 24 janar të këtij viti është ndaluar nga policia nën akuzën e përdhunimit.

1 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›