Muka: Tirana e vërtetë, pas dëmtimeve
Tirana i bëri një nisje aspak të këndshme kampionatit të ri, duke humbur takimin e parë ndaj Flamurtarit dhe duke fituar pa shkëlqim një ndeshje të dobët ndaj Skënderbeut. Por jo të gjithë ndajnë këtë mendim, e një ndër ta, kapiteni Devi Muka, beson fuqishëm se skuadra do t’i rikthehet shumë shpejt normalitetit. “Tirana është mësuar të fitojë gjithmonë dhe sigurisht që nisja jo e mirë e kampionatit nuk i shkon për shtat kësaj skuadre, me emër të madh dhe padyshim me përbërjen më të mirë në Superiore. Por faktorët dihen, pasi ne e nisëm kampionatin me mungesa të tilla që kushtëzuan lojën dhe rezultatet, pa folur për faktin se këto dy javë u aktivizuan shumë të rinj të ardhur. Mirëpo kjo gjendje është e përkohshme dhe më besoni, do të duhet të presim vetëm pak ditë për të parë Tiranën e vërtetë. Besoj se sulmi nuk ka pasur forcën e duhur, pasi unë, Malindi dhe Memelli kemi qenë jashtë grupit, pa folur këtu për mungesat e tjera si Muzaka, Lila etj., që kushtëzuan këtë gjendje aspak të mirë. Veçse mua më habit fakti se si janë përgjigjur rivalët, në një mënyrë të çuditshme dhe aspak profesionale”, ka pohuar Muka.