Operacioni “Blendi”, prangosen dy persona, shfrytëzonin një vajzë për prostitucion
Tiranë – Uniformat blu shoqëruan një 17 vjeçare nga Kukësi me banim në Paskuqan nën akuzën e ushtrimit të prostitucionit në hotel “Blendi” në kryeqytet. Policia sqaroi se, arrestimi i 17-vjeçares u krye në flagrancë mbrëmjen e së dielës. Në pranga përfunduan edhe 2 shfrytëzuesit e vajzës, pronari i hotelit Pëllumb Prendi, 40 vjeç, lindur në Bicaj, Pukë dhe banues ne Tiranë, dhe Monika Miçani, 49 vjeç nga Tirana. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 27 mijë lekë të reja dhe 3 telefona celular. Mbi të arrestuarit rëndojnë veprat penale si shfrytëzim prostitucioni, mbajtje ambientesh për prostitucion dhe ushtrim prostitucioni. Burime policore thanë se personat e arrestuar shfrytëzonin prej kohësh një vajzë për qëllime prostitucioni në mjediset e një hoteli. Pasi ishin të sigurt për aktivitetin e paligjshëm, uniformave blu u mbeti të kapin në flagrancë, falë operacionit të koduar “Blendi” kundërvajtësit penalë. Sipas të dhënave policore, informacionet flisnin për një mashkull dhe dy femra, që të tre të cilësuar si bashkëpunëtorë në shfrytëzimin për prostitucion me qëllim përfitimi për një periudhë kohe që i kanë bërë vajzës me iniciale A. S. në hotel “Blendi” në rrugën “Frederik Shiroka” të kryeqytetit. Klienti i radhës ka dekonspiruar aktivitetin e jashtëligjshëm. Teksa po kryenin aktin seksual një klient dhe A. S., 17 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Paskuqan 2, janë ndaluar dhe bashkë me ta është ndaluar edhe Monika Miçani, 49-vjeçare, banuese në Tiranë.
1 Shtator 2009