Hetim telefonatës e urdhrit për Dajtin
Trazhgim Sokolaj
Plani operacional i Policisë së Shtetit i datës 7 gusht 2009 parashikonte vëzhgimin e Dritan Dajtit dhe jo arrestimin e tij. Grupi hetimor i masakrës së Durrësit ku gjetën vdekjen 4 oficerë policie, ka administruar në dosjen penale të ngjarjes planin operacional të firmosur më 7 gusht nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ahmet Prençi, shefi i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar Arjan Muça dhe komandanti i Sektorit të Operacioneve Speciale Fatos Xhani. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, plani përmban urdhrin për vëzhgimin e të kërkuarit, por nuk parashikon ndërhyrje për arrestimin e tij. Ndryshe nga prokuroria, burime të policisë thonë se plani operacional parashikonte arrestimin e të kërkuarit dhe njoftimin e organit të akuzës për ekzekutimin e dënimit të dhënë në mungesë ndaj Dajtit. Sipas policisë, Sektori GOS ishte zgjedhur për shkak se disa aksione për kapjen e të kërkuarit kishin dështuar më parë nga reparte të tjera të policisë. Ky duket se ka qenë shkaku pse në vendngjarje u dërguan efektiva të një sektori të specializuar për vëzhgimet. Sipas prokurorisë dokumenti përshkruan hollësisht veprimet që do kryheshin, angazhimin e 16 oficerëve në aksion, lëvizjen e tyre me tre automjete të policisë, me targa private dhe një motor si dhe veprimet në terren të efektivave të angazhuar në aksion. Siç duket në momentet e para kur është marrë informacioni për vendndodhjen e Dritan Dajtit, policia ka menduar ta lokalizojë atë dhe të mbajë në vëzhgim lëvizjet e tij e më pas të urdhërojë për veprim në vendngjarje repartet e specializuara. Por kjo nuk ka ndodhur.
Vëzhgimi
Grupi i 16 agjentëve është nisur për në Durrës me tri makina dhe një motor. Oficerët e "vijës së parë" Altin Dizdari, Kastriot Feska e Sajmir Duçkollari janë vendosur në rrugicën ngjitur vendqëndrimit të makinës së Dajtit, ndërsa Fatos Xhani qëndronte i vetëm në krye të rrugës, duke ndjekur lëvizjet e të kërkuarit. Në këtë kohë, Fatos Xhani sheh makinën e të kërkuarit që ndalon. Prej saj zbresin 3 persona, ndërsa i kërkuari qëndron brenda saj, në sediljen e pasme të pasagjerit. Ky është momenti kur aksioni ka marrë një rrjedhë të paparashikuar. Në rrethana që ende nuk dihen, Fatos Xhani urdhëron tre pjesëmarrësit e skuadrës së tij të afrohen tek objektivi. Ndërkohë vetë ai, del para makinës së Dajtit, afrohet dhe hap derën e parë të shoferit dhe përballet me tytat e pistoletave drejtuar mbi fytyrë. Ai shmang kokën në të djathtë dhe tenton të largohet nga dritarja e parë, por Dajti ndjek veprimet e tij dhe qëllon dy herë nga brenda dritares së mbyllur të derës së dytë të makinës. Gjithçka që ka ndodhur më pas është vrasja e tre oficerëve të tjerë dhe e Ledion Marës si dhe plagosja e Dritan Dajtit.
Aksioni me telefona, Dajti kishte radio
Të gjithë urdhrat dhe komunikimet mes efektivave, që kanë marrë pjesë në aksionin "Dajti" kanë komunikuar përmes telefonave celularë. Në operacion nuk është përdorur radioja e zakonshme e policisë për komunikim mes pjesëmarrësve, pasi policia kishte informacione se një radio e tillë disponohej edhe nga i kërkuari (të cilit pas arrestimit iu gjet në makinë një radio komunikimi nga ato të policisë) i cili mund të kuptonte lëvizjet për kapjen e tij. Një fakt i tillë duket se i vjen në ndihmë edhe Prokurorisë, e cila ka kërkuar tabulatet e telefonatave të bëra nga Fatos Xhani. Burimet zyrtare nga hetimi, thanë se është kërkuar lista e telefonatave të Fatos Xhanit në intervalin kohor 10 minuta para përplasjes me Dajtin deri 10 minuta pas ngjarjes, me qëllimin për të verifikuar personin, që i ka dhënë urdhër atij t'u kërkonte agjentëve ndërhyrje me qëllim kapjen e të kërkuarit.
Makina, xhamat e errët "verbuan" policinë
TIRANE - Dy prej oficerëve të policisë janë vrarë më 7 gusht nga Dritan Dajti prej të shtënave nga brenda makinës së tij tip Fuoristradë Tuareg. I kërkuari ka shfrytëzuar më së miri xhamat e errët të mjetit, të cilat nuk lejonin monitorimin e lëvizjeve të tij nga jashtë. Në këtë mënyrë ai ka qenë i pa mbuluar nga policia teksa ka nxjerrë armët dhe i ka mbushur në kohën kur Fatos Xhani po i afrohej makinës. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me oficerin Sajmir Duçkollari, i cili është qëlluar nga ana tjetër, përsëri nga brenda mjetit. Momenti i ndërhyrjes është duke u hetuar pasi besohet se rrethanat i kanë dhënë një ndihmesë të madhe të kërkuarit që të vepronte lirisht, ndërsa efektivat e policisë ishin krejt të pa mbrojtur. Duke qenë në sediljen e pasagjerit, Dajti kishte në dy dyert e makinës, xhama të errët që lejonin shikimin nga brenda jashtë mjetit, por jo të kundërtën. Në këtë mënyrë ai ka pasur mundësi të shohë policët që afroheshin madje edhe t'i shënjestrojë ata, ndërsa efektivat e rendit kanë qenë në terr. Xhamat e errët nuk u kanë dhënë mundësi atyre t'i shmangen plumbave apo të kundërpërgjigjen në kohën e duhur. Pa hapur dyert, Dajti ka qëlluar nga brenda makinës, ndërsa plumbat kanë thyer xhamat e më pas kanë prekur trupat e oficerëve të policisë. Ndërhyrja në një moment të tillë është duke u hetuar nga prokuroria, pasi ekspertët dhe efektivat e policisë, specialistë në aspektin operacional thonë se forcat e rendit mund të prisnin derisa Dajti të dilte nga makina, e më pas të përballeshin me të duke parë veprimet e tij. Sipas ekspertëve Dajti nuk rrezikonte t'i shpëtonte arrestimit, pasi ndodhej në sediljen e pasagjerit prej nga nuk drejtonte dot makinën. I vetmi argument i ndërhyrjes, sipas hetuesve mund të ketë qenë frika e oficerëve se në makinë mund të shkonin personat, që shoqëronin Dajtin dhe në këtë mënyrë përballja mund të bëhej më e vështirë.
Vrasja e Ledion Marës, gabimisht
Sipas aktit të autopsisë, Ledion Mara, i cili ndodhej në makinë bashkë me Dritan Dajtin, është vrarë gabimisht nga ky i fundit. Dajti mësohet se ka qenë duke qëlluar në drejtim të Altin Dizdarit në kohën kur Ledion Mara po lëvizte mes të dyve. Ai ka qenë i përkulur me shpinë nga Dajti. Plumbi që i ka marrë jetën 23-vjeçarit nga Lushnja, e ka goditur atë në shpinë në pjesën mbi veshka dhe më pas ka dalë në kraharor duke i prekur zemrën. Ledion Mara është rrëzuar përtokë kurse Dritan Dajti ka ecur në rrugën drejt banesës së tij ku ka qëlluar 6 herë Kastriot Feskën, që po tentonte arrestimin e personit të katërt që shoqëronte të kërkuarin.
Lëvizjet e Dritan Dajtit
Disa orë para vrasjes së katër efektivave të policisë, Dritan Dajti besohet se ka qenë në Rrogozhinë. Policia ka marrë informacion në rrugë operative për vendndodhjen e tij para se të hynte në Durrës. Duke qenë se informacioni bënte të ditur edhe vendbanimin, skuadra e operacioneve speciale është drejtuar për tek zona e pistës "Iliria" në Durrës, ku ndodhej pallati i banimit të Dritan Dajtit. Agjentët janë vendosur në pozicione ndërsa aksioni është drejtuar në terren nga Fatos Xhani. Ai është pozicionuar i pari në zonë sapo ka parë lëvizjet që po kryente automjeti i të kërkuarit. Pas zbritjes së tre personave nga makina është dhënë urdhri për ndërhyrje.
Rrëzimi i alibisë së Dajtit
TIRANE - Disa ditë më parë pas takimit me avokatin e tij në spitalin e burgjeve, Dritan Dajti mësohet ta ketë justifikuar vrasjen e policëve me faktin se nuk i kishte njohur si efektiva të rendit. Ai ka përshkruar se personat me maska dhe armë që ishin afruar tek makina e tij kanë qenë civilë dhe pa shenja dalluese të policisë. Por një alibi e tillë është hedhur poshtë nga Prokuroria, e cila pohon se 35 dëshmitarë të hetimit, kanë konfirmuar faktin se Fatos Xhani është afruar tek makina e Dajtit me një dokument policie në njërën dorë dhe armën në dorën tjetër. Pasi ka hapur derën e shoferit, ai ka bërtitur: "Ndal, policia!", por i kërkuari kishte mbushur armën dhe drejtuar tytën. Pas shmangies së Fatos Xhanit, Dajti ka ndjekur lëvizjen e tij duke e qëlluar dy herë.