Gjyqtarët pesë ditë pushim “nga xhepi”, nisin punën më 7 shtator
Laureta Rryçi
Tiranë - Pas më shumë se një muaj pushim gjyqtarët në të gjithë vendin sot veshin togat e zeza për të rinisur gjykimin e dhjetëra dosjeve. Disa janë dosje të reja, ndërsa të tjerat u caktuan për gjykim në këtë periudhë që në muajin korrik. Këto do të jenë dosjet e para që do të gjykohen. Shtatori rikthen në punë edhe administratën, duke nisur nga sekretaret e deri te personeli i sigurisë, në çdo gjykatë. Në faqen zyrtare në internet të gjykatës më të madhe në vend, vihet re se puna do të fillojë realisht në fillimin e javës që vjen. Nga dita e caktimit të seancave të para bie në sy fakti se gjyqtarët kanë menduar t’i japin edhe një pesë ditësh pushim vetes duke e mos e nisur punë për të martë, por për të hënë.
Dosjet
Gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, që i përkasin dhomës penale, kanë lënë të fillojnë punën më 7 shtator. Për më shumë se 50 dosje penale, që janë përcaktuar si të parat për t’u gjykuar, seancat e para janë lënë të gjitha për në orare të ndryshme të datës 7 shtator. Vetëm një numër i pakët dosjesh civile janë përcaktuar më datë 1 shtator që përkon me ditën e sotme. Sipas rregullit me 1 shtator duhet të rifillonte puna normalisht, mirëpo për disa ditë më tepër pushim, thuajse të gjithë gjyqtarët e kanë vendosur ta nisin de fakto punën “me krahë të lehta” javën që vjen. Dosjet e para u përkasin zyrtarëve që akuzohen për shkelje tenderash dhe shpërdorim detyre. Ndërsa pjesa tjetër janë për vepra të ndryshme penale si vrasja, vjedhja, moskallëzim krimi etj. Dosjet civile, të cilat ishin në numër më të pakët, kishin të bënin kryesisht ose me kreditë e këqija ose me paditë civile të qytetarëve mes njëri - tjetrit ose me institucionet shtetërore.
Paditë
Gjatë muajit që lamë pas, në periudhë pushimi ishte edhe e gjithë administrata e gjykatës. Kështu asnjë nga qytetarët nuk pati mundësi të depozitonte padi. Po kështu edhe institucioni i Akuzës ishte pushim dhe për këtë shkak pritet që gjatë ditëve të para të shtatorit të ketë një fluks dosjesh të reja për të cilat ka përfunduar hetimi. Të gjitha këto dosje do të kalojnë procedurën e shortit elektronik që do të përcaktojnë sipas çështjes, gjyqtarin ose trupin gjykues që do ta shqyrtojë. Më pas do të nisë dhe gjykimi i tyre.
Sekretaria e Gjykatës
Sekretaria e Gjykatës pranon dokumentet dhe aktet procedurale. Ajo shpërndan paditë pas hedhjes së shortit, merr në dorëzim dosjet pas përfundimit të gjykimit dhe bën kalimin në Arkiv të dosjeve gjyqësore. Në fushën penale, Sekretaria e Gjykatës mban Regjistrin Penal ku regjistrohen menjëherë kërkesat për gjykim që vijnë nga organi i Prokurorisë si dhe kërkesat për gjykim nga të dëmtuarit akuzues. Regjistrin Penal Ushtarak ku regjistrohen kërkesat penale ushtarake të dërguara për gjykim nga Organi i Prokurorisë, Indeksin Alfabetik të çështjeve penale ku shënohet identiteti i palëve, Regjistrin e Vendimeve Penale, etj. Në fushën civile, Sekretaria e Gjykatës mban Regjistrin Themeltar Civil ku regjistrohen të gjitha kërkesë-paditë civile të paraqitura për gjykim. Indeksin Alfabetik të çështjeve civile që plotësohet sipas shkronjave të alfabetit dhe shënohet emri dhe mbiemri i çdo paditësi dhe të padituri. Regjistrin e Vendimeve Civile ku shënohen të gjitha vendimet civile me numër rendor, data e dhënies së vendimit, emri i gjyqtarit, emrat e palëve, objekti dhe numri i seancave. Regjistrin e personave të cilëve u është hequr, kufizuar ose kthyer zotësia për të vepruar.
Rregullat si zhvillohet një proces civil
Procesi gjyqësor civil zhvillohet në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile. Ai fillon në bazë të investimit që i bëhet Gjykatës nga një person fizik ose juridik. Të investosh Gjykatën do të thotë t'i drejtohesh asaj me një kërkesë e cila quhet padi dhe me të cilën kërkon mbrojtjen e një të drejte ose interesi të ligjshëm, i cili është shkelur ose cenuar nga persona të tjerë. Personi që i drejtohet Gjykatës quhet paditës. Personi i cili ka shkelur ose cenuar të drejtën e pretenduar quhet i paditur. Gjykata, pasi njihet me padinë, kontrollon legjitimitetin e palëve. Të kontrollosh legjitimitetin e palëve do të thotë që të verifikosh nëse padia është ngritur nga personi të cilit i përket e drejta dhe nëse është ngritur ndaj atij që ka cenuar apo shkelur të drejtën. Pas kalimit të kësaj faze, gjyqtari bën përpjekje për zgjidhjen e çështjes me pajtim. Kjo do të thotë që ai i fton palët të bisedojnë për të arritur një marrëveshje e cila do të zgjidhte çështjen, duke kënaqur të dyja palët dhe duke shmangur procedurat e mëtejshme gjyqësore. Në rast se kjo gjë arrihet, marrëveshja e pajtimit pasqyrohet në procesverbalin e seancës, i cili nënshkruhet nga palët dhe nga gjyqtari. Mbas kësaj gjyqtari jep vendim për miratimin e pajtimit. Në rast se çështja nuk arrihet të zgjidhet me pajtim, atëherë gjykata i fton palët të paraqesin pretendimet e tyre rreth çështjes në gjykim. Në seancë gjyqësore mbahet procesverbal në të cilin pasqyrohen shpjegimet e palëve, provat që merren si dhe vendimet dhe urdhrat që shpall Gjykata. Kryetari i seancës gjyqësore drejton hetimin gjyqësor dhe bisedimet e palëve në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile. Kur ndonjë nga palët bën vërejtje ndaj veprimeve të kryetarit ose të ndonjërit nga anëtarët e trupit gjykues, duke pretenduar se u kufizohen ose u shkelen të drejtat e tyre këto duhet të pasqyrohen në procesverbal.
Të drejtat e qytetarëve në Gjykatë
Të drejtat e qytetarëve në Gjykatë janë të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile dhe në Kodin e Procedurës Penale. Në procesin gjyqësor civil, e drejta themelore është e drejta për t'iu drejtuar Gjykatës me padi. Me anën e padisë kërkohet njohja e një të drejte ose mbrojtja e një të drejte që është mohuar ose cenuar nga një person tjetër. Palët në një poçes gjyqësor civil kanë të drejtën për të kërkuar përjashtimin e njërit ose të të gjithë anëtarëve të trupit gjykues, në rastet kur ata kanë interes në çështjen që shqyrtohet ose për mosmarrëveshje të tjera që kanë lidhje me çështjen në gjykim; kur gjyqtari ose bashkëshorti i tij është i afërm i njërës prej palëve në proces; kur gjyqtari paraprakisht ka dhënë këshilla ose ka shfaqur mendim për çështjen në gjykim si dhe për çdo lloj arsye tjetër e cila krijon bindjen se gjyqtari nuk do të jetë i paanshëm. Çdo person ka të drejtë të ndërhyjë në gjykimin që është duke u zhvilluar midis personave të tjerë, në rast se ai pretendon për vete të drejtën ose sendin për të cilin zhvillohet gjykimi. Po ashtu ai mund të ndërhyjë edhe kur ka interes për të mbështetur njërën ose tjetrën palë me të cilën bashkohet në gjykim.
1 Shtator 2009