Bashkia, 6 padi të reja Berishës dhe zyrtarëve
TIRANË- Bashkia e Tiranës ka dorëzuar sot katër padi penale për kryeministrin,
Z.Sali Berisha, funksionarëve të Partisë Demokratike Z.Aldo Bumçi, Drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë Z. Tonin Vocaj, Zv.Drejtorit për Sigurinë Publike në Qarkun Tiranë Z.Gjergji Jorgo dhe Kryeinspetorit të Inspektoriatit Urbanistik Kombëtar Z. Hekuran Hoxhalli.
Lajmin e bën publik drejtoresha e Drejtorisë Juridike pranë bashkisë, Migena Vishko, e cila sqaron se në këtë mënyrë po ndiqet rruga ligjore për baltën publike që qeveria hedh mbi këtë institucion.
"Ne paralelisht me shpjegimet publike, po ndjekim dhe rrugën ligjore për dënimin penal të personave përgjegjës si dhe dëmshpërblimin e Bashkisë për imazhin e dëmtuar, duke siguruar fonde që baltën e politikës ta kthejë, në shërbime për komunitetin"- tha ajo.
Sipas saj, krahas padive penale, janë dorëzuar edhe dy padi civile ndaj Kryeministrit dhe Partisë Demokratike. Vishko thekson se Bashkia e Tiranës është duke përgatitur në vazhdimësi padi të tjera, kundrejt të gjithë atyre që kanë shpërdoruar detyrën apo konsumuar veprën penale të shpifjes.