E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gyl-Topi: Reformat po çojnë Shqipërinë në BE



Presidenti turk, Abdullah Gyl, dhe ai shqiptar, Bamir Topi, nuk fshehin faktin se reformat e rëndësishme të qeverisë “Berisha” po afrojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë pranë Bashkimit Evropian. Presidenti Bamir Topi dhe homologu i tij turk, Abdullah Gyl, pasi zhvilluan një takim, dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp ku vlerësuan bashkërisht marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes dy vendeve në të gjitha fushat. Pasi i uroi mirëseardhjen Presidentit turk, kreu i shtetit, Bamir Topi, gjatë fjalës së tij në konferencë u shpreh për diskutimet me homologun e tij. “Gjatë bisedimeve që kemi pasur së bashku, kam ritheksuar respektin e veçantë për këtë marrëdhënie mes vendeve tona; kam vlerësuar mjaft dialogun politik tradicional që ekziston mes vendeve tona e kam siguruar që kjo është një miqësi e konsoliduar në shekuj. E kam siguruar Presidentin turk që marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë shtrirë kudo dhe duhet të intensifikohen në interes të dy popujve tanë. Kemi diskutuar për shumë elemente, për marrëdhëniet politike, për marrëdhëniet ndërinstitucionale, për rritjen e investimeve të Turqisë në Shqipëri. Kemi diskutuar për çështjet e rajonit; kam ka ofruar realitetin në Kosovë, e cila ka sjellë stabilitet në rajon”, - deklaroi Presidenti Topi. Nga ana e tij, edhe Presidenti turk, Abdullah Gyl, ka vlerësuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe ka theksuar se për çështjet që diskutoi me homologun shqiptar ndanë të njëjtin mendim. Presidenti turk deklaroi se ka mbështetur Shqipërinë për në anëtarësimin në NATO, ndërsa do ta mbështesë edhe për integrimin në BE. “Reformat dhe kriteret që do të krijojnë për ju do të bëhen të njohura, por realizimi i tyre do të ndihmojë së tepërmi për fuqizimin e vetë Shqipërisë”, - tha Presidenti Gyl. Më tej, kreu i shtetit turk u shpreh për marrëdhënien e tregtisë së lirë mes dy vendeve, të cilat u krijojnë mundësi të mëdha bizneseve të dy vendeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›