E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia: Hipotekimi vijon, asnjë qytetarë s’mbetet jashtë

“Duke vënë interesin e qytetarëve para çdo interesi tjetër, Bashkia e Tiranës futi në listën e saj të zezë 95 subjekte por dhe persona fizikë, të cilët nuk kanë përmbushur detyrimet që kanë ndaj qytetarëve të Tiranës. Pas ndërprerjes së çdo shërbimi që Bashkia ofron ndaj këtyre subjekteve, një pjesë e tyre kanë nisur të riaktivizohen. Pranë Bashkisë së Tiranës, 5 prej këtyre subjekteve dhe konkretisht Konuda, 4 Grykët, Kukeli, I G dhe EM  LE,  kanë  sjellë një pjesë të dokumenteve dhe janë në proces të përfundimit të dosjeve të tyre, për t’u pajisur me lejet e përdorimit.”, tha zëdhënësja e Bashkisë, Anila Bisha.

Sipas saj, nga riaktivizimi i këtyre subjekteve, i hapet rruga hipotekimit të 278 apartamenteve, me përftues direkt rreth 1120 qytetarë. “Po kështu, nga informacionet e marra nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale, na është bërë e ditur se 5 subjekte të cilat ishin në listën e zezë të Bashkisë së Tiranës, konkretisht FERRAR sh.p.k, MATRIX KONSTRUKSION, Al & GI, dhe personat fizikë Arben Nuriudhe Kastriot Bilica janë riaktivizuar, duke paraqitur dokumentet e domosdoshme, për legalizimin e objekteve  të ndërtuara prej tyre.

Duke qenë se procesi i hipotekimit është dhe mbetet prioritet kryesor i Bashkisë së Tiranës, ne ju  bëjmë dhe njëherë thirrje të gjithë subjekteve të përmbushin detyrimet e tyre ndaj qytetarëve. Pa përmbushur këto detyrime, dyert e Bashkisë së Tiranës do të jenë të mbyllura për këto subjekte, pronarët e tyre dhe çdo kompani tjetër e regjistruar në emër të tyre. Bashkia e Tiranës  nuk do të ofrojë asnjë shërbim për ta, deri në përfundim të këtij procesi sipas ligjit”, vijoi ajo. /Start/

                                                                                             2012-07-31 17:32
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›