Bashkia: I strehojmë romët në palestër. Avokati i Popullit: Ky nuk është trajtim dinjitoz
Lajmi se Avokati i Popullit ka lejuar që në institucionin e tij të strehohen 52 banorë të komunitetit rom ka ngjallur shumë diskutime sot. Edhe mediat e huaja kanë raportuar për këtë ngjarje. Ndërkohë në ambientet e institucionit kanë mbërritur ambasadorja e Zvicrës dhe ai i Bashkimit Europian në Tiranë. Ndërkohë Bashkia e Tiranës ka reaguar duke thënë se ajo do strehojë këta banorë në palestrën e shkollës 1 Maji.
Bashkia ka siguruar çadra dhe mjete të tjera të nevojshme, në raste të ngjashme emergjencash, thuhet në njoftimin e Bashkisë. Njoftimi mbyllet duke nënvizuar se është ngritur një grup pune, që do të trajtojë në vazhdimësi emergjenca të kësaj natyre.
Por Avokati i Popullit duke vlerësuar përpjekjet e bashkisë ka theksuar se kërkohet zgjidhje përfundimtare dhe jo të përkohshme. Avokati i Popullit kërkon një trajtim më dinjitoz për këta qytetarë shqiptarë dhe mendon se zgjidhja e përkohshme nuk është zgjidhja e përshtatshme, thuhet në njoftimin e AP-së.

