E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati projektligji për Artet

Në diskutim publik projektligji nuk gjeti asnjë zë kundër. Dy janë pyetjet që ngrihen për Qendrën që do të mbështesë në nivel kombëtar projektet për artet: a ka para dhe a do të jetë e çliruar nga politika dhe klanet korruptive


Hera e parë dje që Ligji "Për Artin" pati një diskutim të hapur në një rreth artistësh dhe drejtuesish të institucioneve kombëtare. Pothuaj asnjë zë kundër. Projektligji i hartuar nga specialistë të brendshëm të ministrisë me konsulentë të jashtëm të njerëzve të arteve, u quajt i mirë, korrekt.


Por komentet grupohen në dy çështje: Cila politikë ka për ta drejtuar Qendrën Kombëtare të Artit dhe a ka para shteti për këtë projekt "të shumëpritur për artistët" si ngahera, kur i njëjti shtet, po të kishte, do t'ia kishte dhënë ato para buxhetit qesharak të Ministrisë së Kulturës.


Është bërë një operacion në Ligjin "Për Artin Skenik" të vitit 2006. Ky u bë së fundi Ligji "Për Artin" i cili të re parashikon: krijimin e Qendrës Kombëtar të Artit; përfshirjen në të të dy institucioneve, Cirku Kombëtar dhe Teatri Kombëtar i Komedisë (frika për Teatrin e Komedisë u bë realitet).


Qendra për Artin ka për qëllim administrimin e fondeve për projekte për arte pamore, muzikë, teatër dhe edukimin kulturor. I gjithë fondi që MTKRS ka për shoqatat dhe individët do të kalojë këtej. Është një fond i veçuar i parashikuar në Projekt Buxhetin Afatmesëm.


Për këtë, regjisori Gëzim Kame tha se Qendra s'mund të kuptohet pa një buxhet të plotë të vetin. "Në e dimë se prapë shteti do të jetë burim dhe paratë prapë nga ai thes do të dalin. Që ky ligj i mirë të funksionojë duhet të mbështet nga një tjetër ligj, ai për Sponsorizimet."


Kame shtoi se bizneset në Shqipëri kanë fituar atë pjekuri sa do të jepnin për artet dhe do të ndihmonin nëse ligji i favorizon.


Autori Stefan Çapaliku nuk pati gjë kundër ligjit. Ai përmendi nivelin jo akademik të termave, ndonjëherë aty gjen përkufizime qesharake të kulturës apo profileve të ndryshme artistike.


Për shembull neni 5 jep këtë përkufizim për cirkun: "një trupë artistësh me profile të përafërta artistike, të cilët kanë për qëllim argëtimin e një publiku të gjerë, e cila performon në mënyrën e saj tipike në një tendë shumë të madhe". Çapaliku kujtoi se tenda s'është e thënë të jetë "shumë e madhe", mund të jetë edhe e vogël.


Edhe ministri Xhaferraj vuri buzën në gaz nga konceptet dhe përkufizimet për artet që specialistët e tij kanë marrë në motorin google.


Megjithatë kjo është punë grimi që zgjidhet me një korrekturë.
Çapaliku shprehu dyshimin se ekziston rreziku që qendra në fjalë të marrë kompetencat e Ministrisë së Kulturës dhe të nxjerrë jashtë loje politikat e ministrisë për kulturën.


Do duhej, thotë ai, të përcaktohet në ligj që buxheti i Qendrës të ndahet nga ai i MTKRS-së. Ministri Ferdinand Xhaferraj u përgjigj se politikën e bën ministria e Kulturës, ajo përcakton buxhetin e Qendrës, por që nga momenti i akordimit të buxhetit "ministrisë nuk i intereson më se kush merr çfarë".


Në këtë mënyrë, tha ministri, Qendra ka aq pavarësi sa i duhet për të ndarë buxhetin për secilën degë arti që administron.


Pati të pranishëm që shprehën me ethe frikën nga "konkurrenca e pandershme" që mund të prodhojë kjo formë administrimi e arteve e cila ka të ngjarë t'iu japë shanset e shumëpritura kompanive private.


Do të thotë që institucione si Teatri Kombëtar dhe Teatri i Operës dhe Baletit nuk do të kenë më mbështetje të projekteve nga ministria por të funksionojnë me buxhetin e tyre.


Shprehën këtë lloj frike ata që kanë treguar se s'mund të jetojnë jashtë çatisë së teatrit kombëtar, rrogave, s'mund të ballafaqohen me shfaqjet me biletë. Ky lloj artisti shprehu dje shqetësimin se si do t'i bëhet hallit kur ai të japë shfaqje në Teatër Kombëtar dhe po atë natë dy tre skena të tjera të japin shfaqje si ai?


"Konkurrencë të pandershme" e quan ky njeri atë ditën kur spektatori nuk do të jetë i detyruar të shohë atë dhe vetëm atë, se s'ka në Tiranë alternativë tjetër.
Ligji "Për Artin" parashikon mënyrën si do funksionojë Qendra, me një drejtor të përgjithshëm (modeli i Qendrës Kombëtare Kinematografike) dhe ç'është më e rëndësishmja si do të zgjidhen dhe formohen bordet që vendosin për projektet.
Edhe kjo pikë hëngri diskutime me tone qytetare.


Urimi ishte që asnjë bord i ardhshëm të mos i ngjajë bordeve militante të sotëm dhe të shkuar të ministrisë së Kulturës.


Kishte drejtues që thoshin se anëtarët e bordit i propozon kreu i institucionit, ndërsa përfaqësues të sindikatave dhe të shoqatave thoshin se propozimet duhet të vijnë nga poshtë, pra nga sindikatat, shoqatat e komuniteteve artistike duke eliminuar vendimmarrjen e vetëm një drejtuesi.

Vërejtjet e paraqitura edhe për teatrot lokalë në varësi të bashkive dhe për shndërrimin e drejtorive të kulturës pranë bashkive në qendra të artit "të cilat do të funksiononin me grantin për kulturën" dhe do të mbështesnin shoqatat në rrethe, do të reflektohen në variantin përfundimtar të ligjit.

Pas disa ditësh projektligji dorëzohet në Komisionin e Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik që kjo punë të marrë rrugë aty nga vjeshta dhe në fillim të vitit 2011 Qendra e Artit të ngrihet.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›