Bashkia: Kemi zgjidhur problemin e ujit në plazh
Turistët, të kënaqur me kushtet në bregdet
Furnizimi me ujë, më mirë se vitet e shkuara
Plazhi i Durrësit këtë vit ka ujë me bollëk, kjo falë një organizimi perfekt të ujësjellësit dhe organeve të qeverisjes vendore si bashkisë dhe Prefekturës. Ky sezon ka rritur në mënyrë të konsiderueshme numrin e turistëve të huaj dhe vendas, por mbi të gjitha ata kanë kushte fantastike, ujë të pijshëm mbi 12 orë në ditë, si dhe kushte të tjera bashkëkohore higjieno-sanitare. Lidhur me pararojën e zgjidhjes së problemeve që ka sot turizmi në qytetin bregdetar, drejtuesit e baskisë, përkatësisht Vangjush Dako dhe prefekti i qarkut, Klodian Pajuni, thanë për "standard" se "deri vjet vetëm dy orë ujë në ditë për plazhin, kurse ky sezon shënon furnizimin me bollëk me ujë, kjo pasi shumë shpejt ne vendosëm në funksionim të ujësjellësit linja të reja dhe organizuam strukturat drejtuese, duke mundur që gjithçka të ndryshojë".
Kjo situatë ishte perspektiva e këtij sezoni turistik, pra e thënë ndryshe u rritën litrat me ujë më tepër se ajo e vitit të kaluar, duke mos rrezikuar edhe zona fundore e plazhit, si dhe pjesa e bregdetit e cila zë fill te Shtëpia e Pushimit e Ministrisë së Brendshme e që mbërrin te Shkëmbi i Kavajës. Edhe kjo zonë është në mbulimin e Ujësjellësit të Durrësit. Vitin që shkoi te Shkëmbi i Kavajës uji shkonte një herë në javë, kurse sot atje uji ndërpritet vetëm disa orë paradite. E vetmja zgjidhje për përmirësimin e furnizimit të kësaj zone ishte zbatimi i marrëveshjes me Ujësjellësin (por shumë shpejt edhe me ujësjellësin e Manskurisë i ndërtuar pak kohë më parë). Sipas kësaj marrëveshjeje, ky ujësjellës ka marrë përsipër të furnizojë edhe këtë pjesë të bregdetit, krahas Golemit dhe Kavajës.
Turistët shprehen të kënaqur
Turistët vendas dhe të huaj shprehen të kënaqur nga kushtet e krijuara këtë sezon, si me ujin e pijshëm, dritat dhe me higjienën. Gjatë këtij viti është realizuar një investim i rëndësishëm për rritjen e sasisë së ujit që vjen në Durrës nga burimet e Fushë-Kuqes. Sipas punonjësve të ujësjellësit, “iu është kushtuar kujdes instalimeve të stacioneve të komandimit të ujit nëpër fshatra, në mënyrë që ai të menaxhohet më mirë e të mos vidhet nga ndërhyrjet pa leje në rrjet”. Drejtori i Ujësjellësit të Durrësit, Agron Islami, tha për “standard” se “në rrjetin e plazhit dhe në Durrës vazhdon e njëjta prurje si ajo e vitit të kaluar, pra në 24 orë në Durrës mbërrijnë 40 mijë m3 ujë, kjo sasi gjatë sezonit turistik po ndahet 30 mijë m3 për qytetin dhe 10 mijë m3 për zonën e plazhit, pra afërsisht si Durrësi, ashtu dhe plazhi do të furnizohen me nga 12 orë ujë në ditë”. Situata disi e vështirë, por jo pa zgjidhje parashikohet të jetë në pjesën fundore të plazhit, si dhe në vijën bregdetare nga Konvaleshenca deri te derdhja e Përroit të Agait, e cila njihet si Plazhi i Shkëmbit të Kavajës, drejtuesit e Ujësjellësit shprehen të sigurt se me investimet e pritshme gjatë vjeshtës 2008 dhe tremujorit të parë 2009, situatë do të ketë një tjetër përmirësim të kënaqshëm, duke synuar furnizimin me ujë 24 orë pa ndërprerje të zonave bregdetare të Durrësit.