PNUD: Shqipëria vizitohet më shumë nga shtetasit meshkuj
Numrin më të madh të udhëtarëve që mbërrijnë në Shqipëri, përmes aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë, e përbëjnë shtetasit e huaj meshkuj dhe më së shumti ata vijnë këtu për arsye pune, sipas një studimi të kryer nga PNUD (Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri) gjatë periudhës prill 2007- maj 2008.
Në kuadër të projektit të PNUD-it “Imazhi i Shqipërisë”, gjatë kësaj periudhe u intervistuan më shumë se 1.000 udhëtarë, në momentin që ata largoheshin nga Shqipëria përmes aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend. Ky sondazh kishte për qëllim evidentimin e profilit demografik të vizitorëve, aktivitetin e tyre në Shqipëri, shkallën e kënaqësisë dhe nivelin e shpenzimeve, duke ndihmuar kështu dhe qeverinë shqiptare në formulimin e një fushate marketingu të informuar dhe në orientimin e investimeve për sa i përket turizmit natyror dhe kulturor. Nga të dhënat rezulton se 52% e njerëzve të intervistuar kanë deklaruar se ndodhen në Shqipëri për punë, 29% prej tyre vizitojnë të afërm ose miq dhe 14 % e vizitonin Shqipërinë për argëtim.
Ata shpenzojnë mesatarisht 200 euro në ditë për udhëtimin e tyre në Shqipëri, marrin pjesë në veprimtari që zhvillohen në mjedise të hapura, ndërsa vlerësojnë trashëgiminë kulturore dhe natyrore të vendit. Të pyetur rreth aktiviteteve që kanë zhvilluar gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, të intervistuarit thanë se përveç shëtitjeve, aktivitetet më të përhapura ishin vizitat në muzeume, noti, ecja sportive dhe vizitat në parqet kombëtare. Sipas studimit, vizitorët tipikisht qëndrojnë afër Tiranës. Projekti “Imazhi i Shqipërisë” synon të mbushë boshllëkun informativ mbi Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, duke përmirësuar cilësinë dhe sasinë e informacionit mbi vendin, në mënyrë që të rriten perceptimet pozitive për Shqipërinë. Projekti zbatohet në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, partnerët ndërkombëtarë dhe medien, për ndërtimin e një axhende më pozitive që pasqyron realitetin shqiptar. Konsulent dhe autor i këtij studimi ishte Andrew Seidl.