Thereska: Mjekësia ka urgjencat e veta
Profesor doktor Nestor Thereska, dhe njëkohësisht, shef i shërbimit të Nefrologjisë në QSUT
Profesor doktor Nestor Thereska, dhe njëkohësisht, shef i shërbimit të Nefrologjisë në qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në një intervistë për “Standard” flet mbi problematikat që po kalon mjekësia shqiptare dhe zgjidhja që duhet dhënë atyre.
Prof. dr. Thereska shpjegon problematikat që shqetësojnë dhe bëjnë që sot të çalojë puna e bluzave të bardha. Duke u ndalur në një sërë problemesh, z. Thereska thekson se zgjidhja e këtyre çështjeve duhet të vijë sa më shpejt të jetë e mundur, pasi edhe vetë shëndetësia ka urgjencat e veta.
“Duhet parë që në mënyrën e organizmit në tendera, mënyrën e vlerësimit diçka nuk shkon. Këtu duhet që ata që janë në krye të këtyre punëve që tenderat të jenë sa më të thjeshtë, sa më efikasë dhe të zbatohen ligjet një më një. Gjithashtu, të shikohet se shëndetësia ka disa specifika, ka disa urgjenca”, - shprehet shefi i shërbimit të Nefrologjisë në QSUT, Nestor Thereska.
Shefat e pavijoneve në qendrën më të madhe spitalore kërkojnë vëmendje më të veçantë ndaj problematikave që shqetësojnë shëndetësinë duke i dhënë prioritet disa shërbimeve që kanë sëmundje specifike dhe që nuk durojnë dot pritjen dhe kohën e tejzgjatur të proceseve tenderiale.
Ndërkohë që më problematike mbetet Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, qendra më e madhe e nivelit terciar në Shqipëri, që ofron shërbim shëndetësor 24 orësh për të gjithë shtetasit. Kësaj qendre shëndetësore i drejtohen madje dhe shtetasit kosovarë dhe ata maqedonas për shërbimin e neokirurgjisë dhe radiokirurgjisë.
Nga të dhënat mësohet se në QSUT u shërbehet rreth 6 milionë pacientëve çdo vit. Aty kryhen 2 milionë analiza mjekësore, 20 mijë ndërhyrje kirurgjikale dhe shtrohen rreth 60 mijë pacientë.
Në QSUT përballohet një volum jashtëzakonisht i madh pune, kjo edhe për arsye se sistemi spitalor në rrethet e tjera nuk ka nivelin profesional të QSUT-së, për arsye edhe të lëvizjeve demografike.
Ndërkohë, në QSUT vazhdojnë punimet për ndërtimin e spitalit të ri, si dhe për rindërtimin e mjediseve të brendshme dhe të jashtme të tij.
Çfarë duhet të ndryshojë në mënyrën e funksionimit të sistemit shëndetësor në Shqipëri?
Duhet bërë rritje pa diskutim në buxhetin e shëndetësisë. Ne nivelin e 3-përqindëshit duhet ta kalojmë pa diskutim.
Duhet të shohim edhe vendet e tjera të Ballkanit, pasi ne kemi ngritje ekonomike, rritje të eksporteve, të bizneseve. Të shikohet çdo mundësi që fondi të rritet pasi është i domosdoshëm ndryshimi. Unë shoh edhe vitet e mëparshme.
Në vitet e mëparshme shëndetësia bazohej vetëm tek humanizmi tek puna, vetëmohuese e mjekëve. Këto janë natyrisht një bazament i fortë për punën e çdo mjeku, por pa stimulin material, pa investime në aparatura, pa investime në formimin e kuadrit të ri nuk mund të bëhet.
Shumë vite më përpara në QSUT kishim grupe mjekësh që shkonin jashtë për specializim. Kur isha rektor i Universitetit të Tiranës gjatë vitit 1994-1995 çuam rreth 10-15 mjekët më të mirë të spitalit, në Spitalin Universitar të Lëvinit në Belgjikë, një nga spitalet dhe universitet me zë në Evropë. Këta mjekë janë specialistë mjaft të mirë në fushat përkatëse.
Ku duhet investuar më së shumti?
Aktualisht që kemi gjithë këtë rritje ekonomike, ne nuk kemi një grup mjekësh që të kenë investuar për ta. Qeveria duhet të investojë akoma më shumë në shëndetësi. Unë e quaj një element shumë pozitiv Fondin e Ekselencës.
Ndaj dhe unë mendoj që duhet të kemi grupe mjekësh të rinj.
E treta, është që ka pengesa shumë të mëdha burokratike në ligjin për bërjen e masterit dhe të doktorit të shkencave, është një pengesë kolosale. Ne po u vëmë të rinjve me dashje apo pa dashje një pengesë të madhe.
Ne në vend që të ingranojmë të rinjtë, ne po i pengojmë.
Në mjekësi edhe për njëzet vjet nuk bëhet njeri doktor shkencash. Duhen bërë investime në aparatura. Le të marrim shembull aparaturat e dializës, pasi kemi 20 vjet që po përdorim ato aparatura, punojnë mirë. Por sipas specialistëve përkatës të fushës mjekësore, referojnë se skadoi koha. Prandaj them se duhen rinovuar aparaturat, mjekësia do investim.
Sektori i mjekësisë duhet të shkundet nga një burokraci që e ka mbuluar. Të shtohen konceptet menaxheriale. Të çohen edhe mjekët e rinj të bëhen menaxherë që të kenë aftësi menaxheriale për politikat shëndetësore.
Komisioni i Rimbursimit dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të punojnë në një politikë të përcaktuar mirë, të përcaktojnë prioritetet.
Po nuk u përcaktuan prioritetet, ne do të punojmë në mënyrë kaotike. Nëse komisioni i jep prioritet edhe puna do të eci më mirë. Fondet e qeverisë janë shtuar si për spitalin, si për medikamentet, por duhet të punojmë me prioritete.
Lufta kundër korrupsionit në kuadër të gjithë fushatës duhet të vazhdojë, por mendoj që duhet të vazhdojë stimulimi. Vendimi i fundit i qeverisë që edhe mjekëve të QSUT t’u paguhet masteri është shumë pozitiv, pasi nuk ka qenë. Ky vendim jep një farë sadisfaksfioni për një grup mjekësh. Kështu që duhen menduar mënyra të tjera të organizmit të punës.
Si e shpjegoni ju prof. Thereska mungesën e medikamenteve dhe burokracitë e proceseve tenderiale?
Unë mendoj se duhet gjetur gjuha e përbashkët që të mos mungojnë ilaçet pasi kjo është e pafalshme. Me sa jam unë në dijeni, ka një fond goxha të madh për blerjen e medikamenteve. Duhet parë që në mënyrën e organizmit në tendera, mënyrën e vlerësimit, diçka nuk shkon. Këtu duhet që ata që janë në krye të këtyre punëve që tenderat të jenë sa më të thjeshtë, sa më efikasë dhe të zbatohen ligjet një më një. Gjithashtu, të shikohet se shëndetësia ka disa specifika, ka disa urgjenca. Ajo nuk pret që të përsëritet. Tenderi ka disa pasoja. P.sh. në shërbimin e hemodializës, një përsëritje e një tenderi për çdo lloj gabimi është me pasoja katastrofave për jetën e një pacienti. Specifikat bëjnë që edhe qeveria dhe ministria të marrin masa përkatëse për vlerësimin e kësaj situate. Duhet që të gjithë të lëvizin. Secili në punën e tij duhet të japë maksimumin e tij dhe në fund të japë llogari.
Cilat janë problematikat më të rëndësishme që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme?
Riorganizim i mënyrës së tenderimit të medikamenteve të aparaturave mjekësore.
Të perfeksionohet më tepër arti i menaxhimit në shëndetësi, pasi shëndetësia është problemi kyç sot. Duhet të rritet përqindja e GDP-së në shëndetësi.
Spitaleve duhet t’u forcohet aftësia menaxheruese e administratës së tyre. Të jetë një administratë dinamike, e cila të shtojë lidhjet me shërbimin. Nga shërbimi që është njësia bazë në shëndetësi fillojnë shumë gjëra si për mirë, si për keq. Një bashkëpunim i mirë i shefave të shërbimit të spitalit do të jepte një impuls përpara.