E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia: Nesër padi për shpifje ndaj Lajla Përnaskës

Bashkia e Tiranës ka reaguar sot nëpërmjet zëdhënëses së saj, Joana Bushi për deklaratën e deputetes së PD-së Lajla Përnaska e cila e akuzoi sot Ramën për trojet në qendër të Tiranës.
"Sot, listës së gjatë të ushtrisë shpifëse të Sali Berishës, për çështjen e tokës së kompleksit "Taivan", iu shtua dhe deputetja Laila Përnaska.
Korri i laraskave po shtohet dita - ditës, por ashtu siç kemi deklaruar edhe më parë, Bashkia e Tiranës nuk do të harxhojë asnjë minutë kohë nga koha e vyer në shërbim të qytetit e as nuk do të shqetësojë e dhunojë qytetarët përmes ekraneve, siç rëndom bëjnë zërat e çirrura të Qeverisë Berisha" tha Bushi.
Sipas saj, Bashkia e Tiranës, shpifjeve dhe trillimeve të politikës së përbaltjes, ia ka dhënë përgjigjen e merituar ligjore.
"Sali Berisha, Bumçi, Olldashi e Poni e kanë tashmë të depozituar kallëzimin, për të njëjtën çështje që Lajla Përnaska sot përdori edhe një herë, për të hedhur hi syve të shqiptarëve" theksoi Bushi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›