E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia: Nuk kemi miratuar projekt për kompleksin e pishinave

Nuk është miratuar asnjë lloj projekti për zhvillimin urbanistik, në zonën pranë Kompleksit të Pishinave dhe Klubit “Dinamo”. Është vetë Bashkia e Tiranës, që mohon t’i ketë dhënë jetë një plani të tillë. Duke konsideruar rëndësinë strategjike të kësaj zone për të ardhmen e kryeqytetit, Bashkia e Tiranës e ka përcaktuar atë si zonë prioritare dhe ka kërkuar nga investitorët e interesuar, zhvillimin e një konkursi ndërkombëtar. Ky konkurs i organizuar e i financuar prej tyre sipas modelit e standarteve europiane për zhvillimin e një territori me fonde private, ka qenë i nivelit më të lartë ndërkombëtar, qoftë për nga cilësia e pjesëmarrësve, qoftë për nga cilësia e Jurisë Ndërkombëtare. Sa për të bërë dallimin mes kësaj praktike dhe praktikës së zakonshme, Bashkia e Tiranës ka theksuar se, nëse në bazë të procedurave ligjore për leje ndërtimi, çdo investitor e ndërtues thjesht paraqet kontratat me pronarët dhe një projekt përfundimtar të pëlqyer prej tij, në rastin në fjalë vetëm për idenë më të mirë janë thirrur pesë studio nga më të famshmet në botë dhe tetë arkitektë e akademikë me famë që kanë gjykuar punën e paraqitur prej studiove në prani të publikut. Ideja fituese, e cila nuk është as plan përfundimtar dhe aq më pak projekt për zbatim, po vetëm një koncept fillestar zhvillimi, është vlerësuar nga juria e konkursit si një ide që garanton një zhvillim të qëndrueshëm e harmonik mes sipërfaqes së zënë me ndërtim, sipërfaqes së gjelbër dhe pasqyrës ujore të liqenit. Kjo ide nuk prek kufirin e Parkut të Liqenit, po e thekson atë duke ndërtuar një bulevard këmbësorësh mes parkut dhe qytetit. Kopshti Botanik dhe terrenet sportive të Klubit “Dinamo” jo vetëm që nuk preken nga ndërtimet, po rikualifikohen për t’i dhënë një cilësi të re mjedisit në këtë zonë strategjike për kryeqytetin. Por ideja është vetëm fillesa krijuese e një projekti që deri ditën e aprovimit nga Bashkia e Tiranës do të kalojë në një rrugë jo të shkurtër konkretizimi e negociatash, deri në detajet më të imta. Falë këtij projekti, ka theksuar në deklaratën e saj Bashkia e Tiranës, kryeqyteti do të ketë një qendër të re në funksion të strategjisë së një kryeqyteti me shumë qendra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›