Zjarri në plehra rrezikon urën e Bunës
SHKODËR- Djegia e mbeturinave urbane që nuk largohen nga vendet ku ato hidhen, ka rrezikuar seriozisht Urën e Bunës në qytetin e Shkodrës. Ka qenë ora 03.40, kur është konstatuar zjarri tek këmba e parë e urës, i cili ka arritur lartësinë e duhur për tu përhapur tek tabani i urës 100 -vjeçare, i cili është i ndërtuar me dërrasa të thata. Kjo ka sjellë alarmin e kalimtarëve mbi urë të cilët kanë lajmëruar zjarrfikëset. Këta kanë mbërritur me shpejtësi duke ndërhyrë fuqishëm për shuarjen e zjarrit, pasojat e të cilit do të ishin tepër të rënda, në rast se ai do të përhapej në urë. Sipas ekspertëve, zjarri është shkaktuar nga djegia e mbeturinave urbane të hedhura poshtë urës tek këmba e parë e saj, të cilat nuk tërhiqen nga mjetet e pastrimit dhe punonjësit e ndërmarrjes përkatëse dhe ka përfshirë dhe disa nga dërrasat mbështetëse të hapësirës nën urë mes këmbëve të saj. Zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm për të djegur mbeturinat pa menduar për pasojat që rrezikonte të sillte, por nuk përjashtohet dhe shkaktimi i tij nga pakujdesia. Ajo çfarë mund të ndodhte, djegia qoftë dhe e pjesshme e urës së Bunës, është arritur të evitohet, ndërsa një situate e ngjashme mund të ketë pasoja të rënda po të përsëritet. Sipas banorëve që jetojnë aty, mbeturinat hidhen tek këmba e urës nga lokalet e shumta përreth dhe nuk tërhiqen nga mjetet e pastrimit. Ura e Bunës, është e vetmja që lidh qytetin e Shkodrës me komunën Ana e Malit dhe lagjet turistike Zogaj e Shirokë, buzë liqenit të Shkodrës. Në këto zona jetojnë më shumë se 10 mijë banorë. Por kjo është edhe e vetmja urë që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, përmes pikëkalimit kufitar të Muriqanit. Vetëm rreth 200 metra në të majtë të urës ekzistuese, sapo ka nisur ndërtimi i urës së re, e cila kërkon së paku dy vjet kohë të përfundojë. Deri atëherë, çdo komunikim do të bëhet me urën ekzistuese që përveç problemeve të amortizimit përballet dhe me rrezikun e djegies nga pakujdesia.