E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rubik, komuniteti kundër gropës gjigante të plehrave

Pranë qytetit po ngrihet impianti për groposjen e mbetjeve të metalurgjisë. Banorët, dyshime për plehra të tjera

RUBIK- Vetëm pak metra larg hyrjes së qytezës së Rubikut ka filluar ndërtimi i një grope të përmasave shumë të mëdha, në të cilën do të hidhen mbetjet e demoluara të metalurgjisë së Rubikut. Por dyshimet janë se në këtë gropë do të vendosen edhe mbetje të tjera urbane. Menjëherë pas kësaj kanë reaguar edhe disa anëtarë të këshillit bashkiak të Rubikut. Sipas këshilltarit Pashk Gjokaza, nuk ka asgjë të argumentuar të paktën publikisht që si komunitet të besojmë se kjo gropë do të përdoret thjesht për këtë projekt të Komunitetit Europian duke dyshuar se ai vend mund të përdoret dhe për hedhjen e mbetjeve të rrezikshme si pesticide të ardhura në rrugë të tjera të dyshimta.

Vetë këta këshilltarë, por dhe shumë qytetarë i bën skeptikë fakti nëse kjo gropë gjigante po ndërtohet thjesht për këtë destinacion, kur ata kanë parasysh se para 10 vitesh furrat e metalurgjisë, nuk u ndezën posaçërisht për të shkrirë mbetjet skrap të bakrit që ishin nëpër miniera apo fabrika pasurimi, porse aty dyshohet të jenë djegur edhe pesticide të ardhura qoftë dhe nga jashtë vendit. Furrat e metalurgjisë asokohe u mbajtën të ndezura vetëm përgjatë disa muajve dhe më pas u mbyllën, duke hedhur dyshime të forta tek specialistët dhe inxhinierët më së pari por dhe vetë komuniteti se aty ishin djegur edhe pesticide nën maskën e shkrirjes së bakrit, por që mbeti kapitull i mbyllur që asokohe.Tashmë metalurgjia me historinë e saj 70- vjeçare është bërë gati për demolim të plotë dhe në kuadrin e një financimi nga Komuniteti Europian prej 4,5 milionë euro, po punohet për largimin e gjithë mbetjeve të kësaj metalurgjie për ta transportuar e lëshuar në një gropë gjigante që është hapur në të dalë të Rubikut afër lagjes Përlalaj. Në atë vend dikur ka qenë fusha e skorjes që dilte si produkt nga shkrirja e bakrit në metalurgji. Mjete të shumta kanë gërmuar në thellësi dhe thuajse i kanë dhënë formën gropës së madhe ku mendohet të hidhen mbetjet e demoluara të metalurgjisë. Sipas specialistëve të kësaj kompanisë që po kryen punimet, nga metalurgjia do të hiqen tërë mbetjet ku kanë qenë furrat, tulla të oxhaqeve të larta që do të shemben me lëndë plasëse, dhe mbetje të tjera që rezultojnë të infektuara me lëndë të rrezikshme për gjithë zonën. Por disa nga specialistët kanë pohuar se pak ditë më parë, janë sulmuar me granata defensive me rreze të gjatë veprimi dhe për fat asnjë prej tyre nuk ka shkelur në to pasi do të ishte hedhur në erë me gjithë mjete.

Specialistët shpjegojnë se ky projekt është i njëjtë si ai që po zbatohet për Azotikun e Fierit dhe quhen si “pika të nxehta” në gjithë Shqipërinë, pas Rubikut do ta kenë radhën pika të tjera si Repsi apo gjetkë. Në gropën e hapur do të hidhen mbetjet e mbi to do të vendosen shtresa argjile, shtresa mbetjesh, shtresa rëre e dherash, rrjeta të posaçme që japin siguri deri në 80 vite e me radhë dhe deri tek mbjellja përsipër e barit jeshil për ta bërë një vend mjedisor. Por për këtë projekt mbeten skeptikë anëtarët e këshillit dhe një pjesë e komunitetit, të cilët thonë se nuk janë sqaruar në detaje për këtë projekt, ndërkohë që i habit kjo shumë lekësh e akorduar, dhe për më tepër për një vend që nuk e mendojnë dhe aq të infektuar nga lëndë me përbërje të rrezikshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›