Shpërthimi tek azotiku, arrestohet autori
FIER- Policia e Fierit ka mundur që të arrestojë në orët e para të ditës së djeshme njeriun përgjegjës për vendosjen e eksplozivit tek ish- Azotiku. Arben Hoxha është prangosur në banesën e tij dhe ka pranuar vendosjen e eksplozivit me qëllim grabitjen e kabllove elektrikë. Sipas hetimeve të para të policisë, shpërthimi ka ndodhur në orën 01.20 minuta të dy ditëve më parë. Ekspertët e kriminalistikës dhe ata xhenierë që shkuan në vendin e ngjarjes konstatuan se në një kanal ndodhej e sistemuar një sasi kablli elektrik i tensionit të lartë, që furnizonte dikur me energji elektrike këtë uzinë, e cila prodhonte pleh ure për bujqësinë. Shenjat e shpërthimit janë vënë re pranë kabullit elektrik, çka e ka bërë policinë të mendojë se vjedhja ka qenë shkaku i shpërthimit. “Nga veprimet hetimore rezultoi se në Repartin e Urës tek ish-Azotiku Fier në kanalin kryesor me kapak betoni, në të cilin kalojnë kabllot e tensionit të lartë prej bakri, është tentuar për të vjedhur dhe me qëllim hapjen e kapakëve të betonit është vendosur një sasi lënde plasëse artizanale. Autori i saj është 41-vjeçari Arben Hoxha, i cili tashmë akuzohet për shkatërrim të pronës me lëndë plasëse artizanale”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë. Por në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe kryetari i bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj. Sipas tij, duhet një seriozitet në trajtimin e çështjeve që lidhen me objekte të rëndësisë së veçantë dhe mbrojtja e tyre duhet të bëhet nëpërmjet policisë së rendit. Ai i është referuar një fenomeni të kohëve të fundit ku objektet e kësaj kategorie mbrohen me efektiva të policisë private. Sipas tij, policët privatë nuk janë në gjendje të marrin përsipër përgjegjësi të tilla sepse nuk kanë as përvojën dhe as strukturën e duhur.