Fëmijët gjejnë në lumë gjashtë predha të vitit 97
SHKODËR- Predha luftarake që mendohet se janë pjesë e municioneve të grabitura në vitin 1997 dhe që akoma janë në duart e popullsisë civile janë gjetur dje në afërsi të urës së Bunës në qytetin e Shkodrës. Bëhet fjalë për predha të vendosura në arka dhe që janë hedhur në ujë për tu tretur. Por vapa e ditëve të fundit ka bërë që uji i lumit të ulet ndjeshëm dhe arkat me predha janë nxjerrë në sipërfaqe. Ato janë gjetur mbi ujë nga fëmijë, të cilët pasi kanë hequr predhat nga arkat ku ndodheshin, kanë dashur që t’i shesin për hekur pa e ditur rrezikun e tyre. Burimet e policisë pohuan se janë gjashtë predha të tilla, rreth 30 cm të gjata, që janë nxjerrë nga fëmijë që banojnë në lagjen “Liria” pranë Urës së Bunës. Veprimi i tyre është parë nga kalimtarë që kanë lajmëruar policinë. Vetë fëmijët shprehen se ato kanë ditë që kërkojnë tek këmbët e urës për të gjetur predha, të cilat më pas i shesin për hekur. Madje ato kur kanë parë policinë të afrohej kanë hedhur në ujë tre prej predhave duke bërë që uniformat blu të gjejnë vetëm tre të tilla. Ato janë marrë për t’iu nënshtruar ekspertizës dhe ende nuk dihet shkalla e rrezikshmërisë së tyre. Ky nuk është rasti i parë që gjenden armë e municione të ndryshme të braktisura e të hedhura në vende publike. Në shkurt të këtij viti, disa arka me predha luftarake me rrezikshmëri të lartë, u gjetën të hedhura tek livadhet e ish-zooteknikës në lagjen Kiras në Shkodër.