E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia: Tirana s'zbukurohet me paratë e Gërdecit e Kalimashit

TIRANË- "Tirana nuk do e nuk ka nevojë të zbukurohet me paratë e Gërdecit e të Kalimashit". Me këtë deklaratë Bashkia e Tiranës i përgjigjet mazhornacës, e cila deklaroi se do të merret ajo me zbukurimin e kryeqytetit për festa.
Gjatë një prononcimi për mediat Albana Koçiu, drejtoreshë e Përgjithshme të Menaxhimit të Shërbimeve, ka sqaruar se pavarësisht problemeve me buxhetin, shkaktuar nga qeveria, ka filluar prej ditësh dekorimin e qytetit me rastin e festave të fundvitit.
Sipas saj, vërtet po përdoren pjesë të dekorit të një viti më parë, për shkak se fondet e pushtetit vendor po cungohen dita-ditës nga qeveria, por Bashkia e Tiranës, ashtu sikurse nuk lë asnjë ditë pa pastruar qytetin, ashtu sikurse nuk lë asnjë ditë pa u kujdesur për kopshtet, shkollat, rrugët e gjelbërimin, edhe këtë fundvit nuk do të lërë Tiranën pa festuar festat.
"Përveç rrugëve të dekoruara këtë vit, Tirana do të ndjejë festën përmes aktiviteteve kulturore të ngjashme me metropolet e tjera europiane. Një cirk gjigant, me 100 nga akrobatët më të mirë të botës po vendoset në sheshin "Nënë Tereza" për të performuar deri në muajin janar"- tha ajo.
Sipas saj, në sheshin "Skënderbej" pista e akullit, rrethuar nga një panair festiv do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët, gjatë gjithë periudhës së festave.
"Pa dashur të prishim atmosferën e ditëve vijuese, por duke mos i lejuar askujt të përbaltë ato pak ditë të lumtura të fëmijëve tanë, i bëjmë apel bogdan - tellalleve, të mos përdorin dhe festat për politikën e tyre të përbaltjes"- përfundoi Koçiu.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›