E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia Tiranë: Berzh, 500 mijë euro për terminalin multimodal

TIRANË- Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të financojë studimin dhe projektin për terminalin e ri multimodal të trenit, linjave urbane dhe interubane dhe të tramit. Një prej partnerëve të BERZH, Qeveria Italiane ka akorduar fondin prej 500 mijë eurosh.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Jorida Tabaku në një prononcim për mediat bëri me dije se me besimin e një prej institucioneve më të rëndësishme financiare europiane Bashkia e Tiranës do të vërë në zbatim projektet dhe politikat e saj financiare.

“Projekti do të jetë një investim me një vlerë prej 20 milionë eurosh, ku në Terminalin Multimodal të Tiranës do të jetë stacioni i Tramit, stacioni i ri ndërqytetas (për herë të parë qyteti i Tiranës do të ketë një stacion të tillë), do të jetë Stacioni i ri i Trenit, por njëkohësisht edhe një, një qendër tregtare, për të gjithë ata që duan të ushtrojnë aktivitetin e tyre aty. Ky është një ndër katër projektet strategjike që z.Basha ka lançuar dhe po merr dritë”,-theksoi Tabaku.

Tabaku nënvizoi se ky është projekti i parë nga katër projektet strategjike që fillon e merr jetë gjatë muajit të ardhshëm, me projektet që do të prezantohen për zgjatimin e Bulevardit.

“Terminali i ri Multimodal do të akomodojë atje pothuajse 10 linja autobusësh, që do i hiqen qarkullimit dhe stresit të transportit publik në Tiranë, mbi 400 mikrobusë të cilët vijnë nga veriu dhe nga jugu do të akomodohen atje, por njëkohësisht edhe rreth 350 taksi”,- shtoi Tabaku.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›