Bashkia Vlorë, marrëveshje me Tetra Tech Ard
Bashkia e Vlorës ka nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit me Tetra Tech Ard, partner që vë në zbatim projektin për planifikimin dhe qeverisjen vendore, mbështetur nga USAID.
Marrëveshja e bashkëpunimit është realizuar mes dy palëve dhe është një projekt 5-vjeçar që do të financohet nga USAID-i, duke synuar ofrimin e asistencës teknike dhe trajnim për qeverisjen shqiptare dhe institucionet e pushtetit vendore, për çuarjen përpara të procesit të decentralizimit.
Prezantimi i projektit të ri që ka përfshirë Bashkinë e Vlorës si një nga 15 njësitë vendore të gjithë vendit është bërë publike nga nënkryetari i ekonomisë për Bashkinë e Vlorës, Ilir Banushi.
Sipas tij, projekti PLGP do të përfshijë katër komponentë të saj: mbështetjen për qeverinë shqiptare për zbatimin e politikave efektive dhe të legjislacionit të decentralizimit; përmirësimin e efikasitetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë së qeverisjes vendore, çka do ti japë dorë mbledhjes dhe administrimit të taksave vendore; përmirësimin e administrimit dhe mbikëqyrjes së ndërmarrjes publike, shërbimeve të saj në përputhje me standardet e BE-së; dhe përmirësimin e planifikimin për administrimin e zhvillimit urban dhe rajonal.
Nënkryetari i bashkisë theksoi se Bashkia Vlorë ka rënë dakord me firmosjen e projektit dhe vazhdimësinë e tij për këtë institucion, me pjesëmarrjen aktive edhe të kryetarit të bashkisë, Shpëtim Gjika, këshillit bashkiak, si dhe drejtuesve të personelit kryesor të këtij institucioni.
Sipas tij, Bashkia Vlorë do të bashkëpunojë duke kontribuar plotësisht për realizimin e qëllimit të projektit, i cili do të zgjasë 5 vjet me një fond prej 9 mijë dollarësh.
Projekti pritet të nisë zbatimin në fillim të shtatorit 2012 dhe të përfundojë në janar të 2017-s. / Anila Peçi