Plazhi i vjetër i Vlorës, i mbipopulluar nga mbeturinat
Një nga plazhet më të bukur e kurativë të Shqipërisë, plazhi i vjetër në Vlorë, është tashmë në gjendje tepër të rënduar e i braktisur nga vëmendja e qeverisjes vendore.
Prej vitesh, ky plazh, të cilin specialistët dhe brezi i tretë shprehen e krahasojnë vetëm me llixhat e Elbasanit, ka një rërë kurative kundër reumatizmës, është tashmë i gjithi i papastër e i pushtuar nga mbeturinat, si inerte, ashtu ato që sjellin rrymat e detit. E njëjta situatë paraqitet edhe te uji, ku nëse futesh, mund të gjendesh midis mbeturinave dhe inerteve të hedhura nga firmat e ndërtimit.
Prej kohësh, ky plazh nuk frekuentohet më si më parë. Pushuesit e shumtë janë larguar në vendet e tjera, ndërsa ata pak banorë të zonës që detyrohen të qëndrojnë, ankohen për kushtet e këqija. Gjithashtu, një tjetër shqetësim është dhe ndërtimi pa kriter i pallateve shumëkatëshe në afërsi të bregut, duke shkatërruar çdo gjë.
Banorët e zonës, të cilët jetojnë në afërsi të plazhit të vjetër, ankohen për gjendjen në të cilën ndodhet sot ky plazh. Drejtori i shërbimeve komunale në Vlorë, Hertel Shehu, është shprehur për Shekullin se kushtet e motit e kanë bërë të pamundur ndërhyrjen në këtë plazh.
Ne nuk kemi ndërhyrë tek ky plazh për shkak të kushteve të motit, i cili pengon në pastrimin e rërës si dhe heqjen e mbeturinave. Shirat e fundit kanë prishur dhe ato plugime që bëmë në plazhet e tjerë të Vlorës. Gjithsesi, javës që vjen, do të fillojmë pastrimin e të gjithë kësaj zone, për ta kthyer në identitet, tha Shehu. / Anila Peçi