Bashkia: Xhamia e re e Tiranës, tek Namazgjaja

Gjate mbledhjes se sotme te komisionit
TIRANE- Komisioni për ndërtimin e xhamisë së madhe të kryeqytetit ka pranuar propozimin e ardhur nga Komuniteti Mysliman për ndërtimin e Xhamisë së madhe tek Namazgjaja ku ndodhet edhe toka e Komunitetit Mysliman.
Sipas njoftimit të Bashkisë së Tiranës, në mbledhjen e ardhshme Komisioni do të diskutojë për mënyrën se si do të veprohet për projektin e Xhamisë, nëse do të jetë ai i hartuar tashmë, do të përcaktohet një arkitekt për të bërë një projekt të ri, apo do të bëhet konkurs për projektimin e këtij institucioni dhe pas kësaj menjëherë, aprovimi i termave të referencës.
Komisionit, përbëhet nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Kryetari i Komunitetit Mysliman, Nënkryetari, Sekretari i Përgjithshëm, Përfaqësuesi i Komitetit të Kulteve, Përfaqësuesi i Prefektit, i Këshillit të Qarkut, Myftiu i Tiranës, tre përfaqësues të komunitetit të besimtarëve të Tiranës, përfaqësues i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Këshillit të Ministrave, Shoqatës Tirana, Administratori i Përgjithshëm i Bashkisë dhe 5 drejtorë, tre drejtorë të përgjithshëm të Planifikimit të Zhvillimit të Territorit, Planifikimit të Menaxhimit të Shërbimeve, Projekteve Strategjike e Investimeve të Huaja dhe dy drejtorë të Planifikimit të Territorit dhe i Kontrollit të Zhvillimit të Territorit.