Prokurorët hedhin poshtë akuzat e M. Drejtësisë

Kryeprokurorja, Ina Rama dhe ministri i Drejtesisë, Eduard Halimi
TIRANE- Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, ka reaguar sot lidhur me disa konluzione të publikuara sot në shtyp si pjesë e një raporti të ministrisë së Drejtësië, ku hidhen disa akuza në drejtim të Prokurorisë.
Referuar një raporti që ministria e Drejtësisë i ka dërguar Kuvendit, Panorama shkruan sot se, ministria e Drejtësisë akuzon Prokurorinë e Përgjithshme se vuan nga korrupsioni, shkel të drejtat e njeriut, mban përtej afateve të parashikuara me ligj përgjimet dhe nuk kundërshton vendimet e gjykatave,
Shoqata Kombëtare e Prokurorëve nëpërmjet një deklaratë thotë se është e shqetësuar nga sulmet e vazhdueshme të ministrisë së Drejtësisë, dhe thekson që në fillim se shkeljet e pretenduara nga Ministria e Drejtesise nuk qëndrojnë.
Sipas saj, ato janë tendencioze dhe kanë si qëllim të vetëm të denigrojnë punën e prokurorëve dhe ti demotivojnë në përmbushjen e funksioneve të tyre ligjore.
Për vitin 2011 organi i prokurorisë, në rang republike ka përfunduar 27.472 çështje, nga të cilat 19.684 procedime dhe 7.788 mosfillime procedimi. Ministria e Drejtësisë ka ushtruar kontroll vetëm për 653 procedime penale dhe mosfillime të cilat zenë rreth 2,4% të numrit të përgjithshëm të çështjeve të përfunduara. Nga 653 çështje të kontrolluara, Ministria e Drejtësisë, ka pretenduar se janë kryer shkelje në 77 çështje penale, ose në rreth 12% të çështjeve të kontrolluara. Pra, në raport me numrin e përgjithshëm të çështjeve të përfunduara gjatë vitit 2011, ato të pretenduara me shkelje, sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, zënë vetëm 0,28% të numrit të përgjithshëm të çështjeve të përfunduara.- thuhet në deklaratën e Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve.
Kërkesa për marrjen e masave disiplinore për 59 prokurorë duke pretenduar se kanë kryer shkelje në 77 procedime, shkelje të cilat në pjesën dërrmuese të rasteve nuk qëndrojnë, janë absurde dhe të papranueshme, vlerëson shoqata.
Shoqata njofton më tej se, ministria e Drejtësisë në ushtrimin e kontrolleve të kryera në Prokurori ka shkelur hapur parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve, duke nxjerrë përfundime mbi mënyrën e zgjidhjes së çështjeve, çka del jashtë objektit të kontrollit të përcaktuar në ligjin Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar.
Shoqata e Prokurorëve u bën thirrje të gjithë prokurorëve që, ashtu si deri më sot, të kryejnë detyrën me perkushtim dhe profesionalizëm të lartë, në përputhje të plotë me Kushtetutën e ligjin, dhe pa u ndikuar nga presionet e cilitdo qoftë.- përfundon deklarata.