Ligjet shtyjnë shqyrtimin e Gj.Administrative

Komisioni i Ligjeve
Komisioni i Ligjeve shtyu diskutimet për Gjykatën Administrative me qëllim ripërcaktimin e termave të disa neneve. Përfaqësuesi i opozitës, Fatmir Xhafaj tha se, ministria e Drejtësisë duhet ë sjellë më të plota nenet. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajli kërkoi që Komisioni të punojë me ritme më të shpejta, ndërsa kërkoi që deri të hënen të jetë gati një paketë e plotë amendamentesh.
Për rreth 150 minuta, deputetët e këtij Komisioni kanë dëgjuar dje propozimet e komunitetit të biznesit dhe gjyqtarëve lidhur me draftin që pritet të kalojë në Parlament.
Rekomandimet e grupeve të interesit
Floreta Luli Faber (Dhoma Amerikane e Tregtisë): Vonesat në miratimin e ligjit i kushtojnë kohë, energji dhe pará qytetarëve dhe biznesit. Ne kërkojmë që Parlamenti ta miratojë sa më parë pr.ligjin dhe të merren parasysh kërkesat e ndërkombëtarëve. Qeveria të ketë miratuar mjediset ku do veprojnë gjykatat administrative. Ato të jenë ngritur dhe të fillojnë funksionimin më 1 janar 2013.
Luan Bregasi (BiznesAlbania): Ne kështu e duam politikën shqiptare, të merret vesh mes vete, sidomos për çështje që prekin sipërmarrjen private. Për çështje që janë politike, shumë mirë ju debatoni, zihuni, mos bini dakord, por për gjëra që prekin sipërmarrjen private, ska kuptim të mbahen qëndrime mosmiratuese. Për shpejtësinë e gjykimit kjo lidhet me strukturën e gjykatave dhe hierarkinë e tyre. Ne mendojmë se specialistët duhet ta thonë më mirë fjalën që a janë të mjaftueshme 6 gjykata të Shkallës së Parë dhe a është e mjaftueshme një Gjykatë e Apelit. A duhet të mbyllet cikli i gjykimit me një kolegj juridik gjyqësor në Gjykatën e Lartë apo ka mendime ti lihet ky debat edhe eksperiencës. Cilësia e gjykimit lidhet me cilësinë e gjykatësve. Ne kemi propozuar që duhet të ketë një raport më të mirë mes trupës gjykuese dhe atyre që duhet të vijnë nga juridiksioni civil. Duhet të bëhet kujdes për kriteret e përcaktimit të trupës gjykuese. Kriteret duhet të jenë shumë profesionale, të zgjidhen njerëz me integritet të lartë që ne të mos vuajmë pasojat.
Ilir Zhilla (Dhoma Kombëtare e Tregtisë dhe Industrisë): Do të ishte mirë që në rekrutimin e gjyqtarëve të shikohen me prioritet ata konkurrues që kanë në CV e tyre edhe master në ekonomi.
Armando Subashi (relator i pr.ligjit): Çfarë mendimi ke për atë çka parashikon projekti për ngritjen e gjashtë gjykatave të Shkallës së Parë dhe një Gjykate Apeli?
Ilir Rusmali: Cilido të ishte sistemi që preferon biznesi, sistemi që gjykon me trupë gjykuese të gjerë, të ngushtë, apo me gjyqtar të vetëm?
Luan Bregasi: Nga eksperienca e sipërmarrjes private do të jetë më mirë me trupa gjykuese të vogla, sesa me numër të madh gjykuesish. Rritet përgjegjësia e gjykimit, kur një gjyqtar është i vetëm, ka përgjegjësi më të madhe sesa kur janë tre veta. Së pari, ai bëhet më i përgjegjshëm për vendimin që merr, sepse e jep vetë vendimin, së dyti kostot janë më të vogla. Edhe kostot e biznesit janë më të vogla, kur numri i gjyqtarëve është më i vogël. Ndikon edhe shpejtësia e gjykimit. Çfarë ndodh, shkoni në gjykim dhe thonë se nuk ka ardhur gjykatësi i tretë, presim edhe nja tre muaj. Një person mban përgjegjësi.
Maks Haxhia (Dhoma Kombëtare e Avokatisë): Numri i gjykatave mund të jetë në shkallë qarku, Gjykata e Apelit mund të jetë siç është sot, që janë 6 ose mund të jetë edhe një e vetme. Të gjitha këto duhet të analizohen me statistikat, me buxhetin dhe infrastrukturën. Si Gjykatë Apeli është mirë që të jenë tre, një që përmbledh Jugun (në Vlorë), njëra Veriun (në Shkodër) dhe njëra Tiranën. Ligji nuk ka karakter politik, sepse pushteti është rrotacion, ajo që ngelet është mënyra e qeverisjes. Kriteret e rekrutimit duhet të jenë të precizuara. Mundësisht të ruhet edhe tradita e karrierës, por jo duke u mbyllur derën edhe profesioneve të tjera që kanë edhe eksperiencë dhe traditë. Personalisht jam për një provim të kualifikuar të përzgjedhjes së kandidaturave për në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe Gjykatën e Shkallës së Dytë. Duhet të ngrihet një komision shtetëror dhe të merren në provim.