Bashkia apel për dhurimin e gjakut
Për të gjashtin vit radhazi stafi i Bashkisë së Tiranës dhuron gjak. Kjo nismë ka për synim që të mbështesë personat që kanë nevojë për lëngun jetik e sidomos fëmijët. Kështu, ky institucion solidarizohet me aksionin e Kryqit të Kuq Shqiptar dhe Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, duke u bërë pjesë e iniciativës: “Duke dhuruar gjak, shpëtoni jetë”. “Prej 6 vitesh, Bashkia e Tiranës është në linjën e parë të kësaj beteje jetike për të gjithë ata që janë në nevojë për gjak dhe unë dua të nënvizoj domosdoshmërinë që të gjithë ne që e kemi këtë mundësi”, u shpreh kryebashkiaku Rama. Sipas tij, dhurimi i gjakut nuk është thjesht një akt simbolik, por një akt i cili sjell menjëherë të mira për të gjithë ata që kanë nevojë. “Unë besoj se ata që paguhen nga kontributet e taksat e të gjithëve dhe që kanë shëndet të plotë, duhet të kontribuojnë për ata të tjerë, që për fat të keq kanë probleme me shëndetin”, theksoi kryebashkiaku.