E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokimi i vizave me BE-në, parathënie e një bombe sociale

Flet Hidajet Bisceviç, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit. Kriza ekonomike dhe financiare botërore po rrezikon stabilitetin e shteteve të rajonit

Procesi i bllokimit të liberalizimit të vizave nga Bashkimi Europian për shtetasit e Ballkanit Perëndimor është parathënia e një bombe sociale. Kështu i ka cilësuar pasojat që mund të vijnë, nëse nuk liberalizohet lëvizja, kreu i Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, Hidajet Bisceviç, në një intervistë dhënë për një gazetë boshnjake. Ai ka kërkuar që të jenë në një qëndrim të njëjtë ministrat e Jashtëm dhe të Brendshëm të shteteve anëtare të BE-së. Në këtë moment, kur disa nga shtetet e Ballkanit sapo kanë dalë nga luftërat, Bisceviç thekson se kriza ekonomike globale mund të rrezikojë stabilitetin e rajonit.

Si i vlerësoni ndikimet e krizës ekonomike botërore që do të reflektohen në shtetet e rajonit dhe si duhet të veprojnë ata për të luftuar këtë situatë?

Në mënyrë absolute, kriza ekonomike do të shtrihet edhe në pjesën tonë të kontinentit. Askush për veten e tij nuk është një ishull i izoluar. Pasojat e krizës nuk mund të përballen vetëm në një nivel të caktuar. Më e vështira e të gjithave është momenti i shpërthimit të krizës. Rajoni sapo ka dalë nga lufta dhe është rajon pas-lufte. Ne po jetojmë një paqe ende të papërfunduar, tranzicion të pambyllur, struktura ende të pangritura mirë të shteteve dhe një stabilizim social ende të papërcaktuar. Ndikimi i krizës vjen në një moment në të cilin pika kyçe shtrihet në rritjen ekonomike dhe nxitjen energjike të ekonomive kombëtare dhe për këtë, ajo vendos në rrezik sigurinë e investimeve dhe energjisë, p.sh. interesat shumëthelbësore të vendeve nga rajoni.

Bashkimi Europian si dhe institucionet financiare ndërkombëtare kanë vendosur të japin mbështetje në këtë rast, por a do të jenë të mjaftueshme këto ndihma?

Bashkimi Europian vazhdon ta ketë rajonin në agjendën e tij dhe kjo është shumë e rëndësishme. Shtetet anëtare të tij janë të preokupuara në orvatjet e tyre për përballjen e krizës. BE-ja mbetet e përkushtuar në politikën e zgjerimit dhe kjo është e rëndësishme. Por, unë përsëris se përgjegjësia është e ndërsjellë, ashtu siç mesazhi i tanishëm i Brukselit është i thjeshtë: përshpejtim reformash, zgjidhje e çështjeve që janë shtruar. Në rastin e kundërt, ne japim një argument se ata nuk janë tërësisht entuziastë për zgjerimin.

Ashtu siç kanë shkruar mediat amerikane kohët e fundit, a mundet që situata politike e Bosnje Hercegovinës apo problemet politike të saj të destabilizojnë rajonin, për shembull, çështja e “ndërhyrjes” së vendeve të tjera nga rajoni, Serbia, Kroacia?

Bosnje Hercegovina është duke finalizuar së fundmi infrastrukturën e qëndrueshme të sigurisë të kësaj pjese të Europës. Bosnja është shtëpia e mesit, në të cilën vendosja e dhomës dhe struktura e saj për një kohë të gjatë kanë qenë një histori e pambyllur; por unë dëshiroj të besoj se duke thënë mesazhe se atje nuk ka kohë për të harxhuar për shkak të problemeve botërore që kanë dalë në qendër, apo te çëshjet dhe zonat e tjera, do të rritet ndërgjegjësimi në përgjegjësinë historike të këtij brezi politikanësh. Çelësi është arritja me shpejtësi e marrëveshjeve rreth strukturave të qëndrueshme kushtetuese të vendit, përderisa çdo gjë tjetër është në rrugën e bllokimit dhe izolimit. Madje, unë nuk e nxis imagjinatën më shumë se kaq. Për aq kohë sa ekziston mendimi i udhëheqësve që besojnë në disa skenarë të tjerë, ndonëse ato vlerësojnë, do të mbeten të pranishme lëkundjet e pasigurta.

A po luajnë një rol konstruktiv në këtë drejtim Kroacia dhe Serbia?

Për dy fqinjët tanë të rëndësishëm, Kroacia dhe Serbia, stabiliteti i qëndrueshëm i rajonit, sigurisht, është në interesin e tyre të vazhdueshëm. Asnjëri nuk mund të guxojë të besojë se ndonjëri mund të ketë qëllime të tjera dhe interesa në sfondin aktual ndërkombëtar; me këtë krizë që po rrëshqet në anën tonë dhe me aspiratat euroatlantike. A munden ata? Për pasojë, unë besoj se niveli i gatishmërisë për aq sa i përket Beogradit dhe Zagrebit është të mbështesë synimet që çojnë në stabilizimin dhe zgjidhjen e përhershme në Bosnje Hercegovinë, që mund të jenë çelësi kyç në afrimin pranë Bashkimit Europian.

Si e shikoni progresin e shteteve nga rajoni, të cilat akoma nuk kanë një regjim të lirë të vizave, takimet dhe kriteret e vendosura nga BE-ja?

Në mjedisin ekonomik dhe social që po ekziston, në mënyrë objektive regjimi është parathënia e shpërthimit të bombës sociale. Të jetosh krizën dhe të mos kesh akses ka një anë psikologjike, madje edhe politike të problemit. Njëfarë ngadalësie dhe mungesë vullneti është theksuar në anën e Bashkimit Europian. Kur një ministër i Punëve të Jashtme pranon rëndësinë e kësaj çështjeje, një ministër i Brendshëm është e nevojshme që të konsultohet gjithashtu dhe ai/ajo merr në konsideratë disa gjëra të tjera të ndjeshme.

Intervista është botuar dje në gazetën e përditshme boshnjake “Dnevni avaz”

Përgatiti Albert Gjoka

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›