E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, të ardhurat në Tatime e Dogana bien në dy muaj me 41 milionë dollarë



Mosrealizimi i planit të të ardhurave është një problem që është shfaqur në Shqipëri që prej nëntorit të vitit të kaluar (2008) dhe ka konfirmuar atë që Fondi Monetar Ndërkombëtar tha në raportin e fundit të verës së shkuar, se fuqia taksapaguese në Shqipëri është duke rënë. Rënia e ekonomisë e shoqëruar me rënien e fuqisë taksapaguese të biznesit dhe të popullatës ka bërë që në arkën e shtetit gjatë dy muajve të parë këtij viti të mungojnë rreth 41 milionë dollarë të ardhura. Mosrealizimet më domethënëse janë në zërat që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me konsumin, siç janë të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe të ardhurat nga akcizat. Këto të fundit janë dhe zërat bazë të të ardhurave në buxhet, e për pasojë në rast mosrealizimesh këto mund të preken të parat. Por niveli i mosrealizimit është i lartë në këta zëra dhe tregon më së shumti rënie të shitjeve dhe të konsumit. Saktësisht, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në muajin janar nga tatimi mbi vlerën e shtuar ka pasur mosrealizim të ardhurash rreth 10 milionë dollarë dhe në muajin shkurt ky mosrealizim ka qenë me 11,6 milionë dollarë. Të ardhurat nga akciza gjatë muajit janar dërguan në arkën e shtetit rreth 3.5 milionë dollarë më pak sesa plani, ndërkohë që gjatë muajit shkurt të ardhurat nga akciza patën mosrealizim me 4 milionë dollarë. Edhe të ardhurat nga tatimi mbi fitimin apo nga zëra të tjerë kanë pësuar mosrealizim të planit duke dëshmuar se deficiti buxhetor në vend është duke u vënë në “pozitë të vështirë”.

Shpenzimet qeveritare

Shpenzimet qeveria i ka realizuar plotësisht dhe në disa zëra i ka tejkaluar ato. FMN-ja ka kërkuar që hartimi i planit të të ardhurave ta marrë parasysh këtë gjë, ndërkohë që qeveria u zotua se ajo do t’i realizojë të ardhurat. Në fakt, muajt e parë dëshmojnë pamundësinë e realizimit të të ardhurave. Administrata e doganave i kërkoi Ministrisë së Financave disa javë më parë uljen e planit të të ardhurave për shkak të rënies së importeve dhe të pamundësisë për ta realizuar atë. Ministria e Financave nuk e pranoi dhe tashmë ajo thjesht duhet të mendojë se si të mbulojë deficitin në thellim të buxhetit. Kriza ekonomike është arsyeja e vetme e mosrealizimit, pa përjashtuar këtu edhe problemet e administratës së tatimeve dhe të doganave, të cilat, megjithatë, janë shumë pak të ndjeshme në mosrealizimin e të ardhurave. Mosrealizimi nuk është pasojë e ndonjë uljeje të ritmit të punës në administratë. Kjo e fundit vazhdon të punojë si më parë, kur ajo i realizonte e madje i tejkalonte planet. Por qeveria zyrtarisht nuk ka bërë publike asnjë shifër të mosrealizimit të planeve të të ardhurave.

Premtimet

Të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), sipas Ministrisë së Financave, parashikohet të arrijnë në 10 për qind të PBB-së, ose 117,491 milionë lekë në vitin 2009. Ekspertë të Ministrisë thonë se, parashikimi i të ardhurave nga TVSH-ja është bazuar në aspektet makroekonomike si rritja ekonomike, si dhe një normë konstante inflacioni përgjatë periudhës, prej 3 përqindësh. Por faktorë të tjerë që do të ndikojnë në trendin e këtyre të ardhurave janë edhe mbajtja konstante e normës së TVSH-së, trendi historik i këtyre të ardhurave, si dhe përmirësimet administrative prej 2.5 për qind në vitin 2009. Bazuar në këta tregues, sipas ekspertëve të financave publike, baza e tatueshme e TVSH-së do të rritet me rritjen e vlerës nominale të PBB-së, si rezultat i përmirësimeve administrative dhe përmirësimit të strukturës së PBB-se në dobi të sektorëve që paguajnë TVSH-në.

Tatimet: Të gjitha subjektet kanë mundësinë e deklarimit elektronik të detyrimeve

Administrata tatimore ka përfunduar zgjerimin e skemës së deklarimit elektronik të detyrimeve tatimore për të gjithë tatimpaguesit. Tashmë kjo skemë funksionon për të gjithë tatimpaguesit e regjistruar në të gjitha drejtoritë rajonale tatimore, duke përfshirë edhe biznesin e vogël. Edhe këto subjekte kanë mundësinë të shkarkojnë dhe deklarojnë elektronikisht tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), tatimin mbi të ardhurat nga punësimi (TAP), kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, tatimin mbi fitimin, i cili përfshin si parapagesën mujore, ashtu edhe deklarimin vjetor, dhe tatimin mbi të ardhurat personale për biznesin e vogël. Regjistrimi për deklarimin elektronik është një proces i shpejtë dhe i thjeshtë. Ky është një shërbim që i ofrohet të gjithë tatimpaguesve pranë sporteleve të shërbimit ndaj tatimpaguesve në të gjitha drejtoritë rajonale tatimore. Nëpërmjet ueb-sitit “www.tatime.gov.al” mundësohet printimi i formularëve dhe deklarimi sipas llojit të tatimit.

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›