E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maturantët nga jashtë, si do aplikojnë për universitet

 

zirina llambro

Të gjithë maturantët që shkollën e mesme e kanë mbaruar jashtë vendit mund të nisin në Shqipëri universitetin. Për t’u bërë pjesë e procesit të konkurrimit duhet të plotësojnë një sërë rregullash e kriteresh. Ministria e Arsimit publikon udhëzimin, ku janë caktuar edhe datat e dorëzimit të dokumentacionit përkatës. “Shtetasit shqiptarë, që kanë kryer shkollën e mesme jashtë për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë publik duhet të japin provimet e lëndëve me zgjedhje”, ky është kushti kryesor që përmban udhëzimi. Pra, ata duhet të plotësojnë patjetër formularin A1 brenda datës 5 maj. Për të arritur në këtë fazë maturantët kanë afat deri më 15 prill, që të paraqesin në MASH, për ekuivalentim, dosjen me dokumentet autentike. Në këtë dosje duhet të bashkëngjiten kërkesa me shkrim për të vazhduar studimet e larta, dëftesat origjinale me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara. Gjithashtu, kërkohet fotokopje e noterizuar e pasaportës ose certifikatë lindjeje me fotografi.Në MASH ngrihet komisioni i posaçëm për ekuivalentimin e dokumentacionit të nxënësve, që kanë kryer shkollat e mesme  jashtë shtetit dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike. “Komisioni i posaçëm, pasi njeh vlefshmërinë e dëftesës shkollore të shtetasve shqiptarë, që kanë kryer shkollën e mesme jashtë shtetit, ndjek hapat përkatës”, thuhet në udhëzim. Fillimisht do të bëhet përllogaritja e notës mesatare të viteve të shkollimit dhe të notave të provimeve të detyruara D1 dhe D2 ose, në mungesë të këtyre të fundit, të notave përkatëse të këtyre lëndëve. Pas marrjes së të dhënave nga ministria, komisionet e Maturës Shtetërore pranë drejtorive arsimore në rrethe caktojnë shkollën, ku nxënësi do të japë provimet. Për rrjedhojë në këtë shkollë do të plotësojnë edhe formularët A1 dhe A2. “Formularët A2 plotësohen nga shtetasit brenda datës 30 qershor 2009 dhe dorëzohen në Komisionin Shkollor të Maturës Shtetërore”, thuhet në udhëzim.

Kriteret

Dokumentet
    Kërkesën me shkrim për të vazhduar studimet e larta në institucionet e arsimit të lartë publik.
    Dëftesat origjinale me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara.
    Fotokopje e noterizuar e pasaportës/letërnjoftimit ose certifikatë lindjeje me fotografi.

Datat
    Dokumentet ne MASH duhen dorëzuar
    deri më 15 prill
    Formulari A1 duhet plotësuar brenda
    datës 5 maj
    Formulari A2 duhet plotësuar brenda
    datës 30 qershor

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›