E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensioni, mosha dhe vitet e shërbimit që u duhen policëve

Kategoritë sipas gradave që përfitojnë pension suplementar. Çfarë humbasin ata që janë përjashtuar nga uniformat blu

Laureta Rryçi

Tiranë - Punonjësit e Policisë së Shtetit, që ndërpresin karrierën ose mbushin moshën e daljes në pension të plotë pleqërie, deri në atë moment mund të përfitojnë pension të parakohshëm në masën pesëdhjetë për qind të pagës referuese. Kjo ndodh në rastet kur kanë, të paktën, vjetërsi shërbimi, burrat pesëmbëdhjetë vjet dhe gratë dymbëdhjetë vjet dhe kanë arritur moshën dyzet e shtatë vjeç burrat dhe dyzet e dy vjeç gratë. Për çdo vit tjetër vjetërsie shërbimi mbi kufirin e mësipërm, masa e pensionit të pjesshëm shtohet me dy për qind të pagës së mësipërme, por nuk kalon masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi jepet pas përfundimit të periudhës së trajtimit me pagesë kalimtare. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet përkohësisht kur përfituesi bëhet ekonomikisht aktiv. Periudha gjatë së cilës punonjësi përfiton pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi njihet si periudhë sigurimi, për përfitim të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar, sipas pikës dy të Nenit 58 të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.
Pension familjar
Pensioni suplementar familjar përfitohet atëherë kur punonjësi i Policisë së Shtetit vdes. Paraardhësit dhe pasardhësit e tij, përveç pensionit familjar që përfitojnë sipas dispozitave të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, gëzojnë të drejtën e pensionit suplementar familjar, në masën që vijon: pesëdhjetë për qind burri ose gruaja e ve dhe njëzet e pesë për qind, të pensionit suplementar që do të merrte i ndjeri, për çdo jetim, prind, nip/mbesë dhe prind të prindit, por jo më shumë se njëqind për qind të pensionit familjar. Pesëdhjetë për qind burri ose gruaja e ve dhe njëzet e pesë për qind të pagës referuese të të ndjerit, që ka humbur jetën në krye të detyrës ose për shkak të saj, për çdo jetim, prind, nip/mbesë dhe prind të prindit, por shuma e këtij pensioni me pensionin familjar, të mos jetë më e madhe se njëqind për qind e pagës referuese të të ndjerit. Kur punonjësi i Policisë së Shtetit vdes në krye të detyrës ose për shkak të saj dhe paraardhësit dhe pasardhësit nuk i kanë kushtet për pension familjar, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, këta të fundit përfitojnë pesëdhjetë për qind të masës së pensionit shtesë të llogaritur.
Në rastet kur përfituesi bëhet ekonomikisht aktiv, pensioni shtesë i llogaritur jepet në masën pesëdhjetë për qind të tij.
Të përjashtuarit
Këto të ardhura suplementare nuk i përfitojnë punonjësit që janë përjashtuar nga Policia e Shtetit për braktisje të detyrës ose që janë dënuar me burg nga gjykata me vendim të formës së prerë.
Në rast fitimi të pafajësisë, këto të drejta përfitohen nga data e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare, ndërsa në rastet e përfitimit nga amnistia ose falja e dënimit përfitimet fillojnë (ose rifillojnë) nga data e hyrjes në fuqi të amnistisë ose faljes së dënimit. Këto të ardhura pezullohen në çdo rast të arrestimit për vepra penale, që lidhen me ushtrimin e detyrës si punonjës i Policisë së Shtetit.

Boc

E drejta e përfitimeve suplementare për punonjësit e Policisë së Shtetit varet nga:

Koha e shërbimit si punonjës policie, ku përfshihet:

- koha e punës dhe e shërbimit si punonjës i Policisë së Shtetit, nga grada më e ulët e rolit bazë, në gradën më të lartë në rolin madhor;

- koha e njohur si ushtarak i shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë;

- koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të një vendimi të padrejtë;

- koha e qëndrimit në dispozicion për shkak të pritjes për sistemim në një funksion tjetër, në përputhje me gradën;

- gjysma e periudhës së kaluar si punonjës në sektorët civilë, para rekrutimit si punonjës i Policisë së Shtetit (për ata që thirren për të ushtruar specialitete të veçanta, që nuk përgatiten në shkollat dhe në kurset e sistemit të Policisë së Shtetit).

Koha e shërbimit që njihet një fish e gjysmë, për funksione të veçanta miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në çdo rast, periudha gjashtë muaj e një ditë quhet vit i plotë.

Paga e realizuar (në vijim: paga referuese), e cila, për efekt të përfitimeve nga ky ligj, është paga bazë mujore së bashku me shtesat me karakter të përhershëm, që përfitonte punonjësi në çastin e ndërprerjes së karrierës, por jo më e vogël se paga që ka përfituar në muajin e fundit kalendarik të shërbimit.

Për rastet kur punonjësit të Policisë së Shtetit e drejta e përfitimit, sipas këtij ligji, i lind më vonë se data e ndërprerjes së karrierës, paga referuese është paga që ai do të përfitonte në çastin e lindjes së të drejtës për përfitim, për funksionin dhe shpërblimin për gradën që kishte në çastin e ndërprerjes së karrierës. Kur funksioni ose grada që kishte përfituesi nuk është më, Ministri i Rendit Publik bën njësimin e tyre me ato që janë në fuqi në çastin e lindjes së të drejtës për përfitim.

Për studentët, kursantët dhe ushtarët paga referuese është paga bazë mujore për gradën më të ulët, në rolin bazë.

Kontributet

Punonjësit e Policisë së Shtetit paguajnë kontribut shtesë mbi atë të përcaktuar në Ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” në masën një për qind të pagës referuese. Për funksionet në rolin madhor, masa e këtij kontributi është dy për qind.

Pjesa që paguan Buxheti i Shtetit është sa diferenca ndërmjet shpenzimeve për zbatimin e këtij ligji, me të ardhurat që mblidhen nga kontributet që derdhin punonjësit e Policisë së Shtetit.

Kontributet paguhen çdo muaj në fondin e Sigurimit Shoqëror Suplementar të Punonjësve të Policisë së Shtetit. Afati i derdhjes është jo më vonë se fundi i muajit pasardhës.

Punonjësve të Policisë së Shtetit dhe pjesëtarëve të familjeve të tyre u sigurohen përfitime suplementare për:

Paaftësi të përkohshme në punë e shërbim

Mbulim të shpenzimeve për dëmtime trupore

Parandalim dhe rehabilitim për sëmundje

Shpenzime varrimi e ndihme të menjëhershme

Pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi

Pension suplementar pleqërie

Pension suplementar, invaliditeti e familjar

Pagesë kalimtare për shkak të ndërprerjes së karrierës

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›