Bashkia braktis të pastrehët, në 18 mijë aplikime përfitojnë vetëm 700 familje
Bashkia e Tiranës gjatë këtij viti, nuk ka pasur një plan konkret për strehimin e familjeve apo personave që nuk e kanë një banesë, e përpos kësaj mijëra aplikime që flenë në sirtarët e Drejtorisë së Strehimit e cila është në juridiksionin e organit të bashkisë nuk kanë marrë asnjë zgjidhje për vite me radhë. Edhe pse përditë çdokush
nga ne e vuan faktin e strehimit si një prej problemeve më të mëdha, sërish çështja duket sikur është lënë jo vetëm mbas dore nga organet kompetente por edhe i vetmi institucion që është përgjegjës për të na siguruar një shtëpi apo banesë qoftë me qira duket sikur ka lënë në rrugë të madhe të gjitha familjet apo çiftet e reja të pastreha. Kështu bashkia e Tiranës duket sikur i ka lënë në mëshirë të fatit mijëra familje të pastreha të cilat përveçse në mjerim duhet të jetojnë edhe në kushte tejet të vështira duke u munduar të mbijetojnë në rrënoja të vjetra. Nga 18 mijë familje të regjistruara ndër vite në regjistrat e bashkisë si të pastreha, ky institucion ka mundur të strehojë me qira vetëm 700 familje të cilat kanë përfituar nga një banesë kundrejt një shume të caktuar. Nga kjo shifër kanë përfituar shtëpi apo banesa pa qira vetëm një numër i kufizuar qytetarësh e përkatësisht vetëm 105 prej tyre në një periudhë dy vjeçare shifër e cila sipas specialistes së politikave sociale e strehimit në Ministrinë e Punës, Vjollca Saraçi, Bashkia e Tiranës nëpërmjet projektit më të fundit të iniciuar vetëm një vit më parë ku ju ofron qytetarëve e familjeve të pastreha, banesa me qira përfiton nga ta duke mënjanuar sistemin e dhënies së shtëpive e apartamenteve të ndërtuara enkas për këtë kategori. Familjet që jetojnë në kushte të vështira sociale e që nuk kanë asnjë mundësi për ta blerë një apartament kryefamiljarët e të cilëve duke mos qenë të gatshëm për të punuar përfitojnë nga Bashkia e Tiranës një apartament sipas metrave katrorë për frymë por edhe sipas kritereve të përcaktuara nga instancat përkatëse. Sipas specialistes Saraçi drejtoria e strehimit nëpërmjet vendimeve nga organet drejtuese të Bashkisë i jep shumicën e apartamenteve vetëm nëpërmjet njohjeve të ngushta e ata që përfitojnë shumicën e rasteve janë të afërm të punonjësve të bashkisë në shumë raste edhe në mënyrë të padrejtë duke parë faktin që në kryeqytet janë mijëra familje që jetojnë në kushte shumë të vështira në pamundësi të një apartamenti. Ndër të tjera specialistja e Ministrisë së Punës, thekson faktin se në zyrat e kësaj ministrie vijnë përditë kryefamiljarë që ankohen se edhe pse kanë vite që kanë dorëzuar dokumentacionin për strehimin në drejtorinë përkatëse që merret edhe me plotësimin e formularëve sërish kanë mbetur ende në pritje të ndërtimit të pallateve të reja.
Projekti i strehimit
Projekti është titulluar Bonusi i qirave e në të do të trajtohen të pastrehët, veçanërisht familjet në vështirësi ekonomike. Vetëm në një vit është parashikuar të trajtohen nga 100-200 të pastrehë. Për këtë, do të propozohet një sistem pikëzimi, i cili do të vlerësojë dhe kategorizimet e përfituesve për të pastrehët. Aktualisht, në Bashkinë e Tiranës janë regjistruar 4005 të pastrehë vetëm për një vit. Për këtë arsye do të propozohet dhe një program 10-vjeçar për strehimin. Strategjia e strehimit është e ndarë në tri faza, ku do të jetë plani afatshkurtër; plani afatmesëm dhe plani afatgjatë. Këshilli Bashkiak i Tiranës është organi vendimmarrës, i cili shqyrton dhe miraton listën e përfituesve për programin e bonusit të strehimit. Për miratimin e Komisionit të Strehimit në përbërje të cilit, sikurse parashikohet në vendimin e Këshillit të Ministrave marrin pjesë përfaqësues nga organizata jofitimprurëse të cilat mbrojnë interesat e grupeve të ndryshme sociale të cilët kryejnë Përcaktimin e dokumentacionit të nevojshëm, afateve dhe procedurave për të përfituar strehim nga programet e banesave sociale me qira. Aktualisht nga ky program trajtohen 140 familje të pastreha, të cilat kanë dorëzuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar në ligji dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij si dhe plotësojnë kushtet e përcaktuara në to. Për vitin 2009 kanë aplikuar për programin e bonusit të strehimit janë miratuar për tu trajtuar me këtë program 49 qytetarë pasi kanë dorëzuar dokumentacion të plotë. Për vitin 2010 kanë aplikuar për këtë program 10 familje. Ndërkohë ky program mbetet i hapur për të gjithë qytetarët në nevojë, që plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara. Bonusi nënkupton pagimin e një pjese të qirasë që paguan kjo kategori qytetarësh (Familje të cilat nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut.
Arta AGOLLI