Apollon Baçe: Reforma në IMK ka në bazë cetralizimin shkencor
Situata në Monumentet e Kulturës duhet domosdoshmërisht të ndryshojë. Në 45-vjetorin e krijimit të Institutit të Monumenteve drejtori i institutit bën të ditur se tashmë ka ardhur koha që në këtë institucion të jetë një reformë, e cila padyshim që do të sjelli dhe një përmirësim të situatës në të cilën ndodhen sot monumentet
e kulturës në të gjithë vendin tonë. Reforma në sistemin e trashëgimisë kulturore është përkthyer tashmë në akte nënligjore, të cilat shumë shpjet do të përfshihen në ndryshimet që do ti bëhen ligjit të trashëgiminë kulturore. 45-vjetori i themelimit, e gjen Institutin e Monumenteve Gani Strazimiri në prag të një reforme, e cila vendos atë në qendër të sistemit duke pasur në bazë cetralizimin shkencor. Drejtori i IMK z. Apollon Baçe dje theksoi se reforma është e domosdoshme dhe ajo do të synojë në disa drejtime, duke theksuar edhe atë në drejtimin shkencor. Instituti i Monumenteve të Kulturës kërkon një reformë, e cila do të synojë disa drejtime, si në drejtimin kërkimor dhe atë shkencor, pohoi Baçe. Më tej sipas tij institucione të tjera, siç është ASHA të jenë nën IMK. Akademiku Emin Riza pohon se veç fondeve që duhet të jenë më të shumta brezi i ri duhet që të punojë më shumë për të ruajtur trashëgiminë kulturore. Monumentet janë lënë në këtë gjendje sepse konceptohen si punë që kërkojnë vetëm fonde dhe nuk japin para. Do të këshilloja restauratorët e brezit të ri, që t'i kushtojnë jetën restaurimit, thekson ai ndër të tjera. Kritika të ashpra ndaj këtij instituti kanë bërë dhe shumë studiues të tjerë të cilët pohojnë se në lidhje me drejtimin e tij, veçanërisht në degët rajonale ka pasur shumë probleme. Sipas tyre reforma po ashtu duhet që të synojë në pastrimin e strukturave të fryra me punonjës, të cilët shpërdorojnë fondet dhe kanë lejuar shkatërrimin e monumenteve. I sapoemëruar për një mandat të dytë në krye të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe paralajmëroi para disa kohësh se do të punohet për një sistem centralizues në fushën e trashëgimisë. Puna e tij do të përqendrohet në përgatitjen e terrenit për zbatimin e draft-reformës së propozuar prej tij dhe Neritan Cekës. Për këtë mandat të dytë, Baçe ka pohuar më parë se puna e tij do të përqendrohet në vendosjen e një sistemi të ri të trashëgimisë, i propozuar në reformën që ai ka bashkëhartuar me Neritan Cekën. Disa specialistë të trashëgimisë e kanë kundërshtuar këtë draft, por Baçe këmbëngul se ngërçi i sistemit aktual është mungesa e specialistëve të terrenit. Shqipëria ka mbi 3 mijë monumente kulture që mbajnë statusin e kategorisë së parë apo të dytë. Për këto pasuri, 45 vjet nga dita e krijimit, është kujdesur Instituti i Monumenteve të Kulturës. I krijuar nga një grup i vogël specialistësh në vitin 1965, institucioni që sot mban emrin "Gani Strazimiri" ka kujtuar në këtë përvjetor, restaurimin e një sërë veprash me vlera ndërkombëtare. Me rastin e këtij përvjetori dje janë ekspozuar edhe disa ikonat e restauruara së fundi nga specialistet e institutit, të cilat i përkasin shekullit të 17 dhe atij të 18-të. Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) është institucion shkencor buxhetor, në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Veprimtaria e IMK, mbështetet në Ligjin nr. 9048. dt. 07.04.2003, "Për trashëgiminë kulturore", si dhe në gjithë legjislacionin shqiptar në fuqi. IMK është themeluar në vitin 1965 mbi bazën e sektorit të Restaurimit të Grupit të Kulturës Materiale pranë Universitetit të Tiranës, i cili përkujdesej për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës para krijimit të IMK, sipas Vendimit Nº 67, datë 15.3.1965 të Këshillit të Ministrave.
Artistë nga Prishtina vijnë në Muzeun Kombëtar
Katër artistë nga Prishtina, grafistët Armend Fazliu, Migjen Limani dhe piktorët Armend Rushiti dhe Venhar Sadiku u prezantuan dje në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar me një ekspozitë në pikturë dhe grafikë. Artistët erdhën në Tiranë dhe në orën 19.00 u bë dhe hapja ekspozitës. Katër artistët dhe dy grafistët para publikut erdhën me disa nga krijimet e tyre më të mira, që janë prezantuar dhe më parë. Artisti Migjen Limani në një prononcim të tij u shpreh se pasi kishte mbaruar masterin për grafi ai kishte vijuar punën e tij duke hapur ekspozita të ndryshme. Tek ne grafika është mjaft e zhvilluar, pasi kemi pasur ekspozita të ndryshme, në Kosovë, por megjithëse Tirana është kthyer në një metropol patëm nderin të ekspozojmë edhe këtu punimet tona. Ne jemi 4 artistë nga Kosova, Prishtina, në këtë ekspozitë kemi sjellë një frymë të re kreativiteti, pohon ai. Grafisit Migjen Limani thotë se, në këtë ekspozitë janë prezantuar me 22 vepra dhe teknikës monotipi. Kjo është një teknikë që tani në Kosovë punohet më rrallë, më pak, vijon ai. Më tej ai shton se janë 48 punime grafi, kuantit por ka edhe teknika të kombinuara. Unë kam kryesisht temën e peizazhit kosovar, ndërsa kolegu prezantohet me një cikël që quhet Portat, nga traditat shqiptare. Ne kemi 1 vit e gjysmë që punojmë për këtë ekspozitë dhe kjo është ekspozita jonë (e dy grafistëve Migjen Limani dhe Armend Fazliu)e dytë në Tiranë. Më tej duke folur mbi ekspozitën, ai pohon se një nga projektet e tyre më të afërta është çelja e një ekspozite me punime grafike në Tetovë. Piktori Venhar Sadiku pohon se ai ka sjell gjithsej 10 punime, që janë në akrelik dhe në pëlhurë. Ajo që kam dashur të shpreh në pikturat e mia është një kohë e shkuar, për të cilën jam munduar që me stilin tim ta paraqes sa më mirë. Pamjet janë me vende të ndryshme të Botës. Kemi pasur ekspozita të tjera sëbashku. Ndërsa Armend Rushiti ka 10 punime, që janë natyrë e qetë kryesisht, po dallon se është vaj në pëlhurë, pohon ai. Në vijim të aktivitetit të tyre, katër artistët kohë më parë kanë hapur ekspozitë të përbashkët dhe në Gjilan, e cila qëndroi e hapur për dy javë. Në hapje të ekspozitës, Avni Behluli, kryetar i Shoqatës së Artistëve Figurativ në Gjilan, ka thënë se katër artistët janë tejet frytdhënës dhe janë në rrugë të mirë për tu bërë krijues të mëdhenj. Migjen Limani, në ciklin e tij më të ri të realizimeve grafike në teknikën e monotipist përcjell një frymë të re kreativiteti. Universi i tij paraqitet në një formë tjetër, e cila në vete ngërthen edhe format gjeometrike ku vërehet edhe arabeska si kompozicion më vete. Simbolikë e veçantë te ky artist vërehet rrethi figurativ si metaforë e një kuptimi filozofik, i cili mund të merret si glob apo si diell.
Nga Julia Vrapi